Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 24 Shkurt 2025 – Receta tradite/ Horoskopi javor nga Jorgo Pulla / Këmba diabetike, trajtimi natyral

24 Shkurt, 14:59 | Përditesimi: 24 Shkurt, 14:59

Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Gjyveç me makarona elb, sallam dhe speca / Krem djathi në kushte shtëpie.

Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një analizë të detajuar për javën e fundit të këtij muaji, 24 shkurt – 2 mars, për 12-të shenjat e zodiakut. Sipas astrologut Pulla kjo javë duket se do të sjellë ndryshime rrënjësore. “Më në fund do të dalë e vërteta në shesh. Marsi përfundon kursin e tij nga retrogradë në rrugën e duhur në Gaforre, këtë të hënë, duke i vendosur më në fund punët tona në rrugën e duhur. Do të jetë një javë dinamike, plot zhvillime dhe me mundësi, të cilat duhet të shfrytëzohen sa më mirë dhe me inteligjencë nga të gjitha shenjat e zodiakut. Vetëm, kujdes në dokumentacione, vëmendje në firmosje, shqyrtoni çdo detaj! Hëna e re që futet ditën e Premte në shenjën e Peshqeve, do të sjellë një vizion të ri, ndërsa kursi retrogradë i Afërditës fillon të dielën, duke sjellë rishikime në çështjet emocionale tani e tutje”, theksoi Pulla, duke vijuar më pas me parashikimin e detajuar të yjeve për të gjitha shenjat e zodiakut.

Sëmundja e diabetit po përhapet me ritme të shpejta në të gjithë botën. Çdo vit në vendin tonë numri i të sëmurëve që diagnostikohen me Diabet është rreth 4000. Stili i jetës, kequshqyerja, duhanpirja, jeta sedentare, stresi dhe faktorë të tjerë kanë ndikuar në rritjen e numrit të të sëmurëve si dhe në shfaqjen e sëmundjes në mosha të reja. Dhe ndërsa numri i të sëmurëve rritet, rritet dhe shpeshtësia e shfaqjes së komplikacioneve të kësaj sëmundjeje, kryesisht me dëmtim të zemrës dhe enëve të gjakut, syve, veshkave, sistemit imunitar dhe nervave. Një ndër komplikacionet më të rrezikshme, të shkaktuara nga sëmundja e “heshtur" është dhe këmba diabetike, për të cilën ndalemi të diskutojmë sot në "Bima dhe Shëndeti" me biofarmacistin Ylli Merja. Si të parandalojmë këtë komplikacion të rëndë dhe si duhet të kujdesen diabetikët, cilat janë trajtimet alternative që vijnë në ndihmë, i diskutojmë hap pas hapi në studion e "Rreze Dielli".

MC/Shqiptarja.com