Zonja Albana solli dy receta tepër të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë me patate dhe mish të grirë / Petulla me rrush të thatë.
Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim të detajuar për të gjitha shenjat e zodiakut, për javën e fundit të muajit shkurt dhe fillim marsit, 26 shkurt – 3 mars, duke bërë një renditje nga vendi i dymbëdhjetë në vendin e parë. Eshtë një javë disi problematike, një javë turbulluese me ndikime dinamike planetare për të gjitha shenjat, ku jo çdo gjë do të shkoje ashtu siç pritet. Kujdes në mbylljen e disa çështjeve problematike dhe në vendime të rëndësishme që do të merrni si në fushën ekonomike, profesionale ashtu dhe në atë shpirtërore.
Në rubrikën "Bima dhe Shëndeti" me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja, tregojmë simptomat paralajmëruese që lidhen me praninë e lartë të acidit urik dhe mënyrat e trajtimit alternativ. Acidi urik është një lëndë e mbetur e trupit që zakonisht gjendet në gjak dhe formimi i tij varet nga zbërthimi i kimikatit të quajtur purina. Normalisht, acidi urik tretet me gjakun, arrin në veshka dhe kalon nëpër trup me urinë. Megjithatë, kur ka një formim të tepruar të purinës ose kur veshkat nuk funksionojnë siç duhet, acidi urik qëndron në trup. Shumë acid urik në trup mund të çojë në një gjendje të quajtur hiperuricemia. Kjo gjendje shëndetësore mund të çojë në formimin e kristaleve të acidit urik, të cilët vendosen në kyçe dhe shkaktojnë një formë të dhimbshme të artritit. Këto kristale mund të vendosen dhe në veshka, duke çuar në gurë në veshka. Gjithashtu acidi i lartë urik i patrajtuar mund të çojë në sëmundje të rënda të veshkave, zemrës, diabetit, etj.