Zonja Albana solli tre sugjerime recetash të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë me perime dhe qofte / Supë me lëng kockash dhe perime / Kek me fruta të thata.
Djali që dashuron natyrën, pemët dhe ngjyrën e verdhë! Artist, poet, aktivist, gazetar, eseist… për Eljan Taninin ka shumë për të thënë... I ftuar në studion e “Rreze Dielli”, Tanini ndan pasionet e tij si dhe flet për “Esencë”, programi i cili rivjen në sezonin e tij të dytë në ekranin e Report Tv nën moderimin e tij. Ky format premton të sjellë ngjarje, dëshmi, personazhe, histori, personalitete dhe nostalgji që nuk janë thënë ose nuk janë folur në publik ashtu siç duhet. Nostalgjia dhe historia nuk janë e shkuara jonë, por e tashmja! A do të jenë ngjarjet e kaluara nostalgjike si pikturat e Taninit plot jetë e ngjyra? Si do të vijë e shkuara në ‘Esencë’-n e Eljan Taninit, i cili nuk lë pa përmendur dhe disa surpriza që teleshikuesit do të mund të ndjekin çdo të martë dhe të premte ora 23:00 në ekranin e Report Tv.
Në skype nga Suedia me mjeken endokrinologe Geriolda Topi mbi eksperiencën e saj të suksesshme në këto 10 vite në sistemin shëndetësor... Geriolda Topi punon mjeke në Departamentin e Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare në Malmo të Suedisë. Prej 10 vitesh ajo kontribuon në fushën e mjekësisë së bashku me bashkëshortin e saj, gjithashtu mjek. Në studion e ‘Rreze Dielli’ Geriolda tregon rreth punës dhe jetës në Suedi, përshtatjen me një realitet krejt ndryshe nga Shqipëria, duke patur parasysh rregullat dhe disiplinën e jetës në vendet nordike. Si një mjeke shqiptare, çfarë ndikimi apo impakti ka tek shtetasit suedezë, a është ndier ndonjëherë e paragjykuar që nuk është vendase? Sa dhe si vlerësohet një mjek aty krahasuar me Shqipërinë? Ndër të dyja realitetet mjekësore, çfarë duhet të marrë Shqipëria shembull nga Suedia në aspektin mjekësor?