Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë dheu me gjizë dhe mish viçi / Bishtaja me oriz / Reçel rrushi.
Në "Rreze Dielli" ndalemi tek një histori që na mbush zemrën me krenari dhe shpresë. Është një tregim suksesi që dëshmon fuqinë e vullnetit, punës së ndershme dhe përkushtimit. Bëhet fjalë për Armir Gjecin, një djalë shqiptar i cili u largua nga atdheu në moshën gjashtëvjeçare, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në Itali. Fillimisht punoi në një fabrikë druri dhe më pas si kamarier, por ëndrra e tij ishte më e madhe: të bëhej oficer policie. Edhe pse u refuzua dy herë, ai nuk u dorëzua. Sot, Armir Gjeci është komandanti i Karabinierëve në Ivrea, ku drejton 14 stacione policore dhe është kthyer në një model frymëzimi jo vetëm për shqiptarët, por edhe për komunitetin italian. Një histori që dëshmon se gjithçka është e mundur kur nuk heq dorë nga ëndrrat. Njihuni me rrugëtimin mbresëlënës të Armir Gjecit!
“Djathi i ziem Veleçiku”, një traditë e hershme e veriut të Shqipërisë, është çertifikuar si Specialitet Tradicional i Garantuar. Gjovalin Hasanaj tregoi në “Rreze Dielli” historinë familjare të prodhimit të këtij djathi të lidhur ngushtë me jetën e përditshme të banorëve të Malësisë së Madhe, me gratë që e ruajtën dhe e përcollën recetën brez pas brezi, si dhe me bashkëpunimin e fermerëve që e mbajnë gjallë këtë produkt unik. Prej rreth 17 vitesh, familja dhe bashkëpunëtorët e Gjovalinit kanë ngritur një punishte që sot bashkëpunon me mbi 50 fermerë, duke prodhuar jo vetëm djathëra nga dhia, dele dhe lopë, por edhe shije të reja me bimë e fruta të zonës. Ndiqni bisedën ku tregohet më shumë për historinë, sfidat dhe perspektivën e këtij djathi unik që është bërë edhe pjesë e agroturizmit shqiptar.





















