Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 27 Mars 2025 – Receta/ Horoskopi i muajit Prill/ Këshilla pastrimi/ Kujdesi për lulet & bimët fatsjellëse

27 Mars, 16:37

Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Menemen, tavë me domate dhe vezë / Supë me bullgur.

Në studion e “Rreze Dielli”, astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim të detajuar për muajin Prill për 12 shenjat e zodiakut. Sipas astrologut Pulla do të jetë një muaj bombastik dhe mjaft vendimtar, efektet e të cilit do të ndjehen deri në Tetor. "Ky muaj është muaji më intensiv që shoqëron ardhjen e pranverës, por që duket se do të nisë disi me hezitim. Mërkuri deri më 6 prill dhe Afërdita deri më 13 prill do të jenë në retrogradë, duke ndezur situatën nga e kaluara dhe duke ndikuar në takime, diskutime dhe marrëdhënie. Pas mesit të muajit 'skena' ndryshon, Mërkuri dhe Marsi kalojnë në shenjat e zjarrit, respektivisht në Dash dhe Luan, ndërsa Marsi kthehet në rrugën e duhur, iniciativa fillon të zërë një vend përsëri në jetën tuaj. Mundohuni të shfrytëzoni çdo mundësi dhe energjinë që fshihni brenda vetes! Afërdita, nga ana tjetër, gjatë gjithë muajit Prill do të qendrojë në shenjën e Peshqëve, duke hasur në mënyrë të njëpasnjëshme planetë të mëdhenj në rrugën e saj, ju sfidon t'i qaseni marrëdhënieve tuaja me seriozitet, por edhe me një frymë çlirimi dhe e gjithë kjo pa pakësuar ndjenjat që ndjeni për të tjerët", theksoi Pulla duke vijuar më tej me parashikimin e detajuar për çdo shenjë të zodiakut.

Këshilla si të pastrojmë thjesht dhe në mënyrë perfekte shtëpinë dhe çdo ambjent tjetër. Në ‘Rreze Dielli’ ndajmë një bisedë plot këshilla me sipërmarrësin Rigers Rusi, i cili është mjaft i njohur në rrjetet sociale me këshillat që ndan falas për pastrimin. Është shumë e domosdoshme për të marrë këshillat e duhura, ndaj Rigersi na tregon se ku gabojnë pjesa më e madhe e zonjave dhe si duhet ndarë pastrimi i shtëpisë me kategori për t'a bërë punën më shpejt, më mirë dhe më cilësisht. Gabimi i parë sipas tij nis me pastrimin e parketit, çfarë duhet të kemi kujdes...Tregojmë cila është mënyra e duhur e fshirjes dhe e larjes së parketit. Gjithashtu japim këshilla si të pastrojmë tualetin që ai të jetë super i pastër, të mos ketë baktere në të dhe mbi të gjitha si të shpëtojmë dyert e tualetit sepse gjithmonë pjesa më e madhe gabojnë me to.

Bimët janë shumë më tepër sesa një element estetik në shtëpi apo zyra. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e ajrit, humorin dhe shëndetin tonë. Megjithatë, jo të gjithë arrijnë t’i mbajnë bimët e tyre të lulëzuara – shpesh ato vyshken ose nuk rriten siç duhet. Cilat janë arsyet kryesore për këtë dhe si mund t’i kujdesemi më mirë për to? Përveç aspektit të kujdesit, bimët kanë edhe një ndikim të fortë në energjinë e një ambienti. Sipas praktikës Feng Shui, disa prej tyre sjellin fat, shëndet, para dhe mirëqenie, ndërsa bimët e vyshkura mund të ndikojnë negativisht në harmoninë e shtëpisë. Nga ana shkencore, studimet kanë treguar se bimët ndihmojnë në reduktimin e stresit dhe përmirësojnë përqendrimin, duke i bërë hapësirat e brendshme më të shëndetshme dhe produktive. Por si duhet të kujdesemi për to? Kur është momenti i duhur për të ndërruar dheun apo për të fertilizuar bimët që të rriten më mirë? Flasim në studion e “Rreze Dielli” me Eva Ikonomin, e apasionuar pas luleve dhe kujdesit shtëpiak.