Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 27 Shkurt 2024 – Receta/ Trende & Këshilla arredimi / Çipi në tru, inteligjenca artificiale

27 Shkurt, 16:11

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me presh dhe oriz / Qepë të grira me vezë / Revani me niseshte.

Arredimi i dyerve të fshehura është një trend i rritur në popullaritet për shkak të përparimeve në teknologji dhe dizajn, dhe për shkak të nevojës për zgjidhje të përshtatshme për hapësirat e vogla. Në studion e "Rreze Dielli" me Anila Hetoja, interior design, tregojmë cilat janë disa nga trendet kryesore të arredimit të dyerve të fshehura, pse perdet tashmë kanë dalë jashtë mode, si dhe japim disa këshilla arredimi për ambjentet e shtëpisë, por dhe një tualeti modern si një sallon bukurie. Gjithashtu Anila na tregon dhe çfarë lulesh të mbajmë në shtëpi për një jetë sa më të shëndetshme.

Një vit pasi u lejua për testim, Neuralink e miliarderit Elon Musk ka implantuar për herë të parë në histori çipin e saj të trurit me valë tek një qenie njerëzore. “Pajisja quhet ‘Telepathy’ dhe ju lejon të keni kontrollin e telefonit ose kompjuterit tuaj dhe nëpërmjet tyre, pothuajse çdo mjet, thjesht duke menduar”, është shprehur Musk. Pajisja është menduar të ketë disa aplikacione, nga rivendosja e funksionalitetit motorik brenda njerëzve deri te mundësimi i një ndërlidhje tru-kompjuter. Në studion e “Rreze Dielli” me inxhinierin bioteknologjik Ermand Martenika, diskutojmë mbi të ardhmen e teknologjisë, çfarë pritet të sjellë ky zhvillim, kush përfiton dhe si do funksionojë? Gjithashtu ndalemi dhe në "Detyrat mi bën kompjuteri", si po i dëmton nxënësit Inteligjenca Artificiale?