Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 28 Janar 2025 – Receta & Këshilla kuzhine/ Rikthehet Adhurim Demiri / Horoskopi i muajit Shkurt

28 Janar, 15:20

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byreçka të mbushura me patate / Supë me miell misri dhe lakër të zezë / Zënia e kosit të trashë si dhe disa këshilla dhe truke kuzhine për pastrimin shpejt të tiganëve.

Adhurim Demiri është një këngëtar dhe kompozitor shqiptar, i njohur si anëtar i grupit "Djemtë e Liqenit". Në vitet '80, ky grup u bë i famshëm për performancat e tyre në zonën e liqenit artificial të Tiranës, ku të rinjtë mblidheshin për të dëgjuar muzikë live. Në këtë intervistë për emisionin Rreze Dielli, Demiri tregoi se këngët e tyre shpesh trajtonin tema dashurie dhe ishin një formë proteste kundër sistemit të asaj kohe. I larguar prej 20 vitesh në Austri, Demiri tregoi jetën dhe vështirësitë aty, njohjen në Durrës me bashkëshorten në një lokal ku ai perfomonte live dhe marrëdhënien me shokët "rebelë". Dy nga këngët më të njohura për publikun kënduar nga Aleksandër Gjoka janë shkruar nga Adhurim Demiri, "Zemra e një Gruaje " dhe "Ditë dimri", për të cilat Adhurimi tha se bazohen në histori personale dashurie dhe miqësie. Ai tregoi se teksti i "Dite dimri" është frymëzuar nga një përvojë e tij personale, ku pas një ndarjeje, ai hoqi një portret nga muri, duke lënë një shenjë që e inspiroi për të shkruar këngën. Në vitet e fundit, Demiri ka vazhduar të jetë aktiv në skenën muzikore shqiptare, duke sjellë videoklipe të reja si "Mall bulevardi", "Inviktus" si edhe koncertin e mbajtur në qershor 2023. Në studio ai prezantoi këngën e fundit "Baladë Trishtimi", duke treguar edhe disa nga prapaskenat e realizimit të videoklipit.

Në “Parashikimi i Yjeve”, astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim të detajuar për muajin Shkurt për 12 shenjat e zodiakut. Sipas tij, Shkurti do të jetë një muaj plot zhvillime, do të jetë një muaj dinamik dhe me mjaft zhvillime në fushën shpirtërore. “Muaji Shkurt ka emocione të shumta, lëvizje impulsive për shkak të lëvizjeve planetare. Në këtë periudhë fillon një muaj dashurie me kalimin e Afërditës tek shenja e Dashit, ku do ju bëjë më të guximshëm dhe më të sigurtë. Flirtimi rikthehet fuqishëm në jetën tuaj! Qëndrimi i Mërkurit tek Ujori deri më datën 14 shkurt dhe më pas tek Peshqit, do ju japë shpresë dhe realitet, një mënyrë origjinale për t'iu afruar të tjerëve në diskutime, por edhe ide të reja interesante. Sidoqoftë, vëmendja duhet sepse Marsi në krahun e kundërt në Gaforre vazhdon deri në 24 shkurt duke e bërë të vështirë në përgjithësi shprehjen e emocioneve. Përfitojnë shumë ata që bëjnë biznese për herë të parë si dhe lidhjet e reja. Përballoni zhgënjimin me qetësi dhe zgjidhni qëllimet tuaja me mençuri! Gjithashtu mundohuni të mos kontrolloni aq shumë, sa të kuptoni emocionet që ju vështirësojnë”, këshilloi Pulla duke vijuar më tej me parashikimin e detajuar për çdo shenjë të zodiakut.