Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Gjellë me bizele dhe patate / Bujurdi, meze në tavë dheu / Sallatë me shalqi dhe mocarela.
Çfarë të lexojmë poshtë çadrës? Kryesisht libra argëtues, që s’kërkojnë shumë përqendrim, por që, nga ana tjetër, edhe të përfshijnë me subjektin e tyre, janë gjithmonë në kërkim gjatë stinës së nxehtë. Aida Baro, kryeredaktore e Botimeve Pegi, sugjeroi për fëmijët "Çfarë të bëjmë me..." tre libra pozitivistë që ndihmojnë të rritur e fëmijë për të përballuar probleme, raste, ide... Ndërsa për të rritur, bestsellerin “Numri 2” nga novelisti francez David Foenkinos; “Biseda rreth seksit” një libër nga terapistja e seksit Vanessa Marin dhe bashkëshorti i saj, Xander Marin si dhe librin e sapo dalë nga Shtëpia Botuese Pegi "Aristoteli dhe Dantja zbulojnë misteret e universit" nga Benjamin Alire Saenz. Ky roman u shndërua në një prej filmave më të kërkuar të vitit 2022, është një histori e një miqësie të madhe, një histori e ëmbël, e pastër dhe që i bën mirë zemrës…
I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” Altin Goci, kantautori i njohur, pjesëtar i grupit “Ritfolk”, një nga grupet e para muzikore që u krijua pas viteve `90. Altin Goci dhe Sajmir Braho prodhuan për vite të tëra hite të padiskutueshme si “Ëndërroj”, “Dëshirë dhe heshtje”, “Drejt fatit tim” të cilat këndohen ende në ditët e sotme njësoj si po ato vite. Goci rrëfeu rrugëtimin e tij të gjatë artistik nisur nga një ëndërr e disa të rinjve bërë realitet në bankat e Shkollës së Mesme “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet. Ai tregon për popullaritetin dhe famën që mori grupi Ritfolk në ato vite. Me Saimir Brahon, pjesëtarin e dytë të grupit ritakohet herë pas here dhe madje kanë disa projekte artistike së bashku. Gjatë bisedës, Altini u surprizua me videomesazhe dhe nga dy miqtë e tij të zemrës, Saimir Braho dhe Elton Deda. Në planin personal, jeta e tij është shumë e plotësuar. Është babai i dy vajzave që sot e bëjnë shumë krenar dhe që janë fanset e para të babait të tyre.