Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 28 Maj 2026 – Receta / ‘Brezi fantastik’, udhërrëfyes për fëmijët/ Rrëfimi i ndjerë i shkrimtares

28 Maj, 16:15 | Përditesimi: 28 Maj, 16:15

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Petulla me maja / Kimë me qepë dhe vezë / Omletë me djathë në furrë.

Në Rreze Dielli ndalemi me Loreta Berhamin, tek një libër që po ngre debat në mbarë botën, një libër që flet për fëmijët tanë, adoleshentët, ekranet, ankthin dhe mënyrën si po ndryshon brezi i ri. “Brezi Fantastik”, nga Jonathan Haidt dhe Catherine Price, sjell një analizë të fortë mbi ndikimin që teknologjia, rrjetet sociale dhe jeta virtuale kanë në zhvillimin emocional, psikologjik dhe social të të rinjve. Autorët ngrenë pyetje të rëndësishme: A po rritim një brez më të lidhur apo më të vetmuar? Pse ankthi, depresioni dhe pasiguria po shtohen te të rinjtë? Çfarë roli kanë prindërit, shkolla dhe shoqëria në këtë realitet të ri? Është një temë që prek çdo familje sot, sepse teknologjia nuk është më vetëm mjet komunikimi, ajo po formëson mënyrën si mendojmë, si dashurojmë, si krijojmë miqësi dhe si ndërtojmë identitetin tonë.

Manushaqe Ismaili, shkrimtarja dhe studiuesja e përkushtuar ndaj vlerave kombëtare, po organizon Kongresin e Dytë të Gjuhës, Historisë dhe Kulturës Shqiptare, një aktivitet me rëndësi të veçantë për ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kombëtar. Me pasionin e saj për letërsinë, historinë dhe trashëgiminë shqiptare, ajo bëri thirrje që këtij kongresi t’i bashkohen intelektualë, studiues, pedagogë, artistë dhe dashamirës të kulturës në një platformë të përbashkët diskutimi dhe reflektimi mbi gjuhën shqipe, rrënjët tona historike dhe sfidat kulturore të kohës moderne. Zonja Manushaqe rrëfeu gjithashtu në “Rreze Dielli” rreth jetës së saj, sesi tërmeti i fshiu 12 librat e pabotuara, apo vështirësitë e jetës pa shtëpi.

MC/Shqiptarja.com