Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Qofte me lulelakër në furrë me salcë të bardhë / Supë iftari me perime dhe makarona / Reshedi me niseshte.
Në studion e “Rreze Dielli” Albana Barçi, 48 vjeçarja nga Tirana rrëfen historinë e jetës. Kujdesi për vëllain me probleme të shëndetit mendor, bëri që ajo të mos krijojë ende familjen e vet. Një rrëfim prekës mes lotëve që nuk i mban dot, tregon se vëllai i saj edhe pse deri në moshën 19 vjeçare ishte një djalë i qeshur e i dashur, madje dhe i hedhur, papritmas pësoi një izolim dhe më vonë një rëndesë të fortë mendore, një dhimbje shumë e madhe për prindërit dhe familjen. Sot vëllai i saj është 41 vjeç dhe Albana e shoqëron kudo…E apasionuar pas artit, pikturës dhe poezisë, Albana mes emocioneve dhe lotëve rrëfen pengjet e saj, edhe pse "single" tregon sesi arriti të vishej nuse duke realizuar ëndrrën e saj për t’u veshur me fustan të bardhë.
Në rubrikën “Bëje vetë” ndajmë disa këshilla dhe truke pastrimi, tregojmë sekretin për pastrimin e dyshekëve. Me pak përbërës që të gjithë i kemi në shtëpi mund të largojmë në çast çdo lloj njolle dhe papastërtie nga dysheku ynë. Gjithashtu realizojmë 2 nga maskat më virale të momentit - Maskë me zero kosto për reduktimin e rrathëve të zinj dhe syve të enjtur me vetëm 3 përbërës që ka shtëpia / Maskë pranverore me aloe vera, miell orizi dhe mjaltë për fytyrë plot shkëlqim, të hidratuar pa pore dhe pa shenja.
Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim të detajuar për muajin Prill për 12-të shenjat e zodiakut. “Muaji Prill është muaj ku lidhjet e shkëputura do të rilidhen, është muaji i eklipseve dhe nën ndikimin e Mërkurit, na jepet një mundësi që të ndreqim gjërat që kemi bërë gabim. Me pak fjalë mund të themi se muaji Prill është ideal me gërma shtypi” u shpreh Jorgo, duke shtuar që pritet që ‘haka’ të vejë tek i zoti.