Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 28 Mars 2025 – Receta/ Pesticidet në fruta perime/ ‘Bëje vetë’, Maska natyrale

28 Mars, 16:46

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Jufka me pulë, tradita dibrane / Gjellë me bathë sipas traditës çame / Pufka me qumësht pluhur të sherbetosura.

Siguria ushqimore është një nga çështjet më të rëndësishme për shëndetin publik, por në Shqipëri vazhdon të mbetet një problem serioz. Së fundmi, është zbuluar se produkte të eksportuara nga vendi ynë përmbajnë nivele të larta të pesticideve të ndaluara, disa prej të cilave janë ndaluar nga Bashkimi Europian që prej vitit 2020 për shkak të rrezikut të lartë që paraqesin për shëndetin e njeriut. Rasti më i fundit shqetësues është ai i mandarinave shqiptare, të cilat u bllokuan në Kroaci, pasi testimet treguan praninë e chlorpyrifos-it, një pesticid me efekte të rënda neurotoksike. Për më tepër, raportimet tregojnë se gjatë vitit 2024 janë zbuluar shtatë pesticide të ndaluara në produkte të tregut shqiptar, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e institucioneve përgjegjëse dhe masat e kontrollit ushqimor… Cilat janë rreziqet reale për konsumatorët? Si ndikojnë këto pesticide në shëndetin tonë? Çfarë pasojash afatshkurtra dhe afatgjata mund të sjellin në organizëm? Pse vazhdojnë të përdoren substanca të ndaluara, pavarësisht paralajmërimeve nga organizatat ndërkombëtare? A mund ta dallojë dhe si, një konsumator i zakonshëm nëse frutat dhe perimet janë të ndotura me pesticide? Për t’u përgjigjur këtyre pyetjeve dhe për të kuptuar se ku qëndron problemi, flasim në studion e "Rreze Dielli" me ekspertin agroushqimor Ilir Pilku.

Në rubrikën ‘Bëje Vetë’ me Stela Nikolla si gjithmonë fokusohemi te maskat natyrale për fytyrën por jo vetëm, duke sjellë receta të thjeshta dhe efektive për një lëkurë të shëndetshme, Cilët përbërës janë më të mirë për llojin tuaj të lëkurës dhe si mund t’i përgatisni në shtëpi? Zbulojmë bashkë sekrete të bukurisë natyrale. Ja maskat dhe truket natyrale të sugjeruara: Maskë natyrale për një lëkurë të butë fytyre, të hidratuar dhe plot shkëlqim / Skrab për buzët, për zbutjen e tyre dhe rritjen e volumit natyralisht / Sapun me vete për fëmijët, vetëm me dy përbërës.