Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tartë me mish pule dhe qepë të karamelizuara me kërpudha / Presh me kimë / Banoffee, ëmbësirë e shpejtë angleze pa pjekje.
Nis nesër Muaji i Ramazanit! Për 30 ditë, besimtarët myslimanë mbajnë agjërim, si një nga 5 shtyllat e Islamit. Muaji i Ramazanit është një periudhë 30-ditore ku myslimanët në gjithë botën agjërojnë, kjo periudhë konsiderohet si një festë, një kohë reflektimi ku trupi dhe shpirti pastrohen nga negativiteti. Çdo vit për Ramazan, miliona myslimanë në të gjithë botën agjërojnë duke u solidarizuar me të varfrit për të ndarë ushqimin me ta. Botëkuptimi i këtij muaji të shenjtë, një rrugëtim kuptimplotë, një filozofi e tërë reflektimi! Të ftuar në studion e “Rreze Dielli” Ilir Hoxholli, ish kreu i kulteve së bashku me vajzën e tij gjimnaziste Rejsa Hoxholli, pedagogia dhe besimtarja Malvina Tafçiu si dhe këngëtarja e mirënjohur Çiljeta Xhilaga e cila prej vitesh agjëron, tregojnë si ndikon ku muaj nga ana psikologjike, përfitimet, rëndësinë shpirtërore, ritualet dhe traditat e besimtarëve myslimanë përgjatë këtyre 30 ditëve.
Aktori dhe regjisori shqiptar, Diar Xani, ngjitet në skenën e Festivalit prestigjioz të Teatrit në Nju Jork me monodramën e tij “42nd Street” (Rruga 42) përzgjedhur mes dhjetëra konkurentëve. Festivali i njohur ofron një platformë për artistët që konkurojnë për çmime të ndryshme. Për Xanin, pjesëmarrja është një realizim i një ëndrre. “New York Theater Festival, është një nga festivalet më prestigjioze në botë, për mua, të jem pjesë e tij është një nder dhe kënaqësi e madhe” u shpreh ai për studion e “Rreze Dielli” nëpërmjet një lidhje skype nga NY. “42nd Street” është një histori për emigracionin, frymëzuar nga rruga e famshme me të njëjtin emër në Manhattan. Monodrama ndjek historinë e një protagonisti që shkon për herë të parë në Amerikë, dhe gjendet ne Rrugën 42, për të takuar dikë që i ka premtuar ndihmë, por ai mbetet i vetëm dhe pa zgjidhje tjetër… Xani, i cili eci për herë të parë në Amerikë pikërisht në këtë rrugë, thotë se shumë emigrantë mund të lidhen me këtë histori. “Shumë njerëz kanë filluar rrugëtimin e tyre në Amerikë nga kjo rrugë” shprehet ai. Me një karrierë të pasur, Diar Xani ka luajtur për herë të parë në skenë në Kosovë që 12-vjeç dhe ka vazhduar studimet në Maqedoni, Prishtinë dhe më pas ka kryer doktoraturën në Radio TV dhe Kinema në Universitetin e Stambollit në Turqi. Ai ka performuar në Gjermani, Zvicër dhe vende të tjera evropiane, duke fituar çmime të shumta ndërkombëtare.





















