Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 29 Nëntor 2024 – Receta/ Tradita e artizanatit shqiptar/ Fluturim me helikopterin ‘Black Hawk’

29 Nëntor, 15:32

Zonja Albana solli katër receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Kosla, qofte me miell misri në tavë kosi / Bukë misri e hirrëtuar / Hallvasi në kushte shtëpie / Turshi me lakër, domate dhe kastraveca.

Zona e Anës së Malit në Ulqin, sikur të gjitha trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi është e njohur edhe për një traditë mjaft të pasur të artizanatit, e cila është krijuar me shekuj nga duart e arta të mjeshtrave popullorë. Këtë pasuri të vërtetë kombëtare po e vazhdon me shumë pasion, dashuri e përkushtim Ramiz Hajdari 52 vjeç nga fshati Zenelaj. Ai këtë mjeshtri nga e cila mban ekonominë familjare po e ushtron prej 27 viteve në një punishte në shtëpinë së tij në përmasa prej 70 metra katrorë. I ftuar në studion e “Rreze Dielli” thotë se këtë zanat e ka filluar me punë të vogla prej druri, kurse më vonë ka vijuar me punime të përmasava të ndryshme me gips dhe polimermer. Motivet e punimeve të Hajdarit janë kryesisht simbolet tona kombëtare, heronjtë tanë kombëtarë, gravurat e qyteteve të lashta shqiptare, hartat e trojeve shqiptare, objektet fetare, por dhe skulptura erotike. Ndërsa Zana Hoxha është një tjetër artizane nga Shqipëria e mesme, e cila ka trashëguar brez pas brezi traditën e realizimit të qilimave me motive shqiptare. Aja ka mbi 30 vite që punon pa ndërprerë në punishten e saj të vogël në Elbasan, teksa tregon se në tezgjah është ulur për herë të parë që kur ishte fëmijë dhe krenare thotë se punimin me dorë të qilimave ia ka trashëguar dhe vajzës së saj si dhe nuses së djalit.

Gati një vit më parë Shqipëria u pajis nga aleati ynë Strategjik, Shtetet e Bashkuara, me dy helikopterë shumë të avancuar, UH-60 apo siç njihet ndryshe “Black Hawk”. Modeli i famshëm që fjalë për fjalë do të thotë “Skifteri i zi”, ju shtua Forcave të Armatosura, duke i dhënë mundësinë vendit tonë që të përmbushë më së miri misionet taktike dhe operacionale të emergjencave civile dhe ushtarake. Sot ekuipazhi i “Black Hawk”-ut po bëhet gati për një fluturim stërvitor nga baza e Farkës, për në Palasë, pranë një humnere ku është simuluar një aksident në mal, një fluturim të cilin e ndjekim me kameran e ‘Rreze Dielli’ për të marrë emocionet, por dhe adrenalinën e fluturimit së bashku me ekuipazhin. Si në çdo fluturim rutin, kontrolli teknik i mjetit është rreptësisht i detyrueshëm nga stafi teknik, procedurë që na e shpjegon Kapiten Ertion Kodra. Helikopteri drejtohet nga Nënkolonel Ervin Buzi si dhe nga e vetmja pilote vajzë që po trajnohet për drejtimin e “Black Hawk”, Togere Armela Murati. Për Nënkolonel Ervinin, me më shumë se 18 vite përvojë si pilot helikopteri dhe me 1700 orë fluturimi, kënaqësia që merret në ajër nuk përshkruhet me fjalë, ndërsa shprehet se këtë profesion nuk do t’a ndërronte me asgjë në botë, edhe pse është i ndërgjegjshëm se orët larg familjes nuk numërohen. Pjesë e ekuipazhit është dhe Kapter Bledi Zaimi, i cili mban detyrën e Aeroshpëtuesit, në operacionet e kërkim shpëtimit. Ai është ulur me litar në vendin dhe kohën e duhur, pikërisht në momentet kur diferencën mes jetës dhe vdekjes e bënin sekondat. Helikopterët e rinj do të ndihmojnë gjithashtu në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi, si dhe për mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje. Sipas tratativave me partnerët tanë amerikan, mësohet se deri në vitin 2030 Shqipërisë do i shtohen dhe 4 helikopterë të tjerë UH-60, duke e çuar kështu në 6 numrin e këtij modeli kaq të avancuar dhe multifunksional.