Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 29 Tetor 2024 – Receta/ ‘Bëje vetë’ Pastrimi i hekurit & Krem duarsh/ Dëshifrimi i ëndrrave

29 Tetor, 15:43

Moderatorja Doreada Mio ishte e ftuar në emisionin "Rreze Dielli" në këndin e gatimit, ku ndau me teleshikuesit recetat e saj të veçanta dhe plot shije: Mish gici (ose pule) me xhinxhër dhe salcë soje / Oriz basmat me bajame dhe rrush të thatë / Dardha të pjekura me arra dhe djathë.  

Në rubrikën ‘Bëje vetë’ Niki dhe Stela japin disa këshilla praktike për të gjitha amvisat. Ndodh shpesh që pllaka e hekurit të ndotet nga pjesë të ndryshme të rrobave të cilat ngjiten në hekur, prandaj proçesi i pastrimit të tij është shumë delikat dhe i rëndësishëm. Nuk është gjithmonë e thjeshtë, pasi në të mbeten njolla sidomos kur përdorni në mënyrë të vazhdueshme avullin. Me një hekur të pastër rrobat tuaja do të mbeten të reja për një kohë më të gjatë. Që ta mbani hekurin tuaj si të ishte i ri, Stela na tregon si të pastrojmë hekurin në pak minuta me produkte që të gjithë i kemi në shtëpi, metoda tepër praktike dhe pa kosto. Gjithashtu vajzat në studion e “Rreze Dielli” përgatisin dhe një krem me përbërës natyralë për duar të thata dhe të plasaritura.

Ëndrrat janë pjesë e veçantë e jetës tonë, pothuajse çdo natë ne shohim nga një ëndërr. Shumicën e tyre i harrojmë brenda 10 minutave dhe nuk na kujtohen më, por sa më shumë që i kushtojmë vëmendje ëndrrave aq më shumë i mbajmë mend ato. Prandaj është shumë e rëndësishme që të dimë kuptimin e tyre. Poetët dhe filozofët i kanë interpretuar ato si fantazi romantike ose si manifestime të anës më të errët të natyrës njerëzore. Ëndrra mund të shkaktojë përvoja dhe ndijime të ndryshme të fuqishme, si kënaqësi, pikëllim, frikë, apo makthe. Po çfarë na tregojnë vërtetë ëndrrat? A janë ato paralajmëruese të një situate? Cilat janë disa nga simbolet që nuk duhen injoruar… Me studiuesen e shkencave të okultit Pranvera Xhafa diskutojmë në studion e “Rreze Dielli” më shumë për këtë tematikë, si mund të dëshifrojmë ëndrrat, çfarë tregojnë simbolet e ndryshme për botën tonë të brendshme?