Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 3 Nëntor 2025 – Receta/ Murrizi, ‘ari i zi’ i Shqipërisë për zemrën dhe jetëgjatësinë / Bimët shqiptare

3 Nëntor, 15:45 | Përditesimi: 3 Nëntor, 15:45

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pogaçe me djathë / Tavë me patëllxhanë dhe domate / Çorbë me hithra të njoma.

Në botën e bimëve mjekësore shqiptare, murrizi njihet si një nga pasuritë më të çmuara të natyrës, shpesh i quajtur edhe “ari i zi” i Shqipërisë. Ky frut i vogël, por me fuqi të madhe shëruese, është përdorur prej shekujsh në mjekësinë popullore për forcimin e zemrës, qarkullimin e gjakut dhe ruajtjen e vitalitetit të organizmit. Sipas specialistit të njohur të bimëve mjekësore, Ylli Merja, murrizi është një ndër aleatët më të fuqishëm natyralë për shëndetin e zemrës dhe jetëgjatësinë. Ai thekson në “Rreze Dielli” se përdorimi i rregullt i murrizit, veçanërisht në formë çaji të kombinuar me bimë të tjera si hibiskus, vjeshtulla apo valeriana, ndihmon në uljen e tensionit të gjakut, qetësimin e sistemit nervor dhe parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Në këtë mënyrë, murrizi mbetet jo vetëm një dhuratë e natyrës, por edhe një simbol i forcës dhe qëndrueshmërisë për trupin e njeriut.

E larguar prej vitesh në Gjermani, Alketa Schindler rrëfen se ishte në një periudhë të vështirë të jetës, derisa natyra shqiptare e riktheu sërish në jetë. “Isha gati të dorëzohesha pas 3 operacioneve në kokë”, tregon ajo në ‘Rreze Dielli’, duke përshkruar momentin kur u rikthye në Shqipëri dhe zbuloi fuqinë shëruese të bimëve medicinale vendase përmes Report TV dhe Ylli Merjas. Nga murrizi te mendra, sherebela dhe trumza e malit, çdo bimë i solli qetësi, energji dhe besim. Për Alkëtën, bimët medicinale shqiptare nuk janë thjesht barëra, janë ilaçi i shpirtit dhe trashëgimia e gjallë e natyrës sonë, një trashëgimi që ajo e ka çuar dhe në Gjermani.

MC/Shqiptarja.com