Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 3 Shtator 2025 – Receta/ Zemra dhe Infarkti/ Matja e tensionit/ Manikyri xhel

3 Shtator, 15:39 | Përditesimi: 3 Shtator, 15:39

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Krem me kos të kulluar, speca dhe arra / Pite pa vaj me fara chia / Supë me kos dhe nenexhik.

Sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë në mbarë botën, dhe infarkti i miokardit, apo siç njihet ndryshe 'sulmi në zemër' është një nga format më të rënda dhe më të zakonshme të këtyre sëmundjeve. Megjithatë, shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm për faktin se trupi shpesh jep sinjale paralajmëruese disa ditë apo edhe javë përpara se të ndodhë një infarkt. Pikërisht për këtë arsye, informimi dhe ndërgjegjësimi janë jetikë. Në këtë bisedë në studion e "Rreze Dielli" me mjeken kardiologe Dr. Anila Shahini, do të ndalemi në shenjat e hershme që mund të shfaqen deri një muaj para infarktit, rëndësinë e njohjes së tyre, dhe arsyet pse nuk duhet t'i neglizhojmë.

Tensioni i gjakut është një nga treguesit më të rëndësishëm të shëndetit kardiovaskular dhe matja e saktë e tij luan një rol kyç në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut. Shpesh, matja e gabuar e tensionit, qoftë për shkak të teknikës së pasaktë apo pajisjeve jo të sakta, mund të çojë në keqinterpretim të gjendjes shëndetësore dhe trajtime të panevojshme. Me mjeken Anila Shahini në studion e "Rreze Dielli" do të fokusohemi në këshillat kryesore për matjen e saktë të tensionit në kushte shtëpie, faktorët që ndikojnë në rezultatet, si dhe tregojmë se cilat aparate janë më të besueshme dhe të rekomanduara nga profesionistët e shëndetit.

Kujdesi për thonjtë është kthyer në një rutinë të zakonshme estetike për shumë gra, dhe manikyri me xhel është ndër trajtimet më të preferuara për shkak të qëndrueshmërisë dhe pamjes së rregullt që ofron. Por së fundmi, një vendim i Bashkimit Europian për të ndaluar përdorimin e substancës TPO, një përbërës i zakonshëm në produktet e manikyrit me xhel ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e këtyre produkteve. Çfarë është substanca TPO dhe pse është e rrezikshme? A ka pasur rreziqe për përdoruesit ndër vite? Dhe çfarë duhet të dimë për të mbrojtur shëndetin tonë kur zgjedhim trajtime kozmetike të tilla? Për t'i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, bisedojmë në studion e "Rreze Dielli" me toksikologen Suela Xhufi, e cila do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë pasojat e mundshme që mund të sjellë përdorimi i manikyrit me xhel dhe si të bëjmë zgjedhje më të sigurta.

MC/Shqiptarja.com