Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 30 Qershor 2023 – Receta / Edmond Tupja, ‘Macja’ / Vajza gjuetare

30 Qershor 2023, 16:01

Zonja Albana solli katër sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Kek me çokollatë me zemër të butë kremoze / Çorbë me thjerrëza të kuqe / Gjellë verore me bamje dhe domate në furrë / Bamje me hudhër dhe limon.  

Në studion e ‘Rreze Dielli’ me Edmond Tupja, përkthyesi i novelës ‘Macja’ të autores franceze Colette. Këtë libër, shprehet Tupja, e kam lexuar kur isha student në Francë në vitet ‘60. Nyja e dashurisë dhe besnikërisë – ndaj fëmijërisë dhe maces që e shoqëron atë – është shtylla kryesore e novelës: ëndrra për një fëmijëri të përjetshme dhe nostalgji për një dëlirësi që nuk mundet të përshtatet me jetën prej të rrituri. Aleni, djali i vetëm dhe i përkëdhelur i një familjeje të pasur borgjeze, ka një mace shumë të bukur, Sahën, me të cilën ka një lidhje thuajse në simbiozë. Ndonëse vendos të martohet me Kamilën, një vajzë të hijshme dhe tepër moderne, Alenin e shqetëson shumë ideja se do të lërë shtëpinë e lindjes e mbi të gjitha macen e tij të adhuruar. Pas martesës, Saha fillon të dobësohet, prandaj Aleni vendos ta marrë me vete në apartamentin e ri të çiftit. Në një tension dhe xhelozi në rritje, prania e kafshës minon në mënyrë të pakthyeshme bashkëjetesën e tyre dhe Aleni do të jetë i detyruar të zgjedhë o njërën, o tjetrën. Se çfarë përfaqëson kjo mace, ngrohtësinë e fëmijërisë së humbur përgjithmonë, ëndrrën e një lidhjeje të përsosur për një burrë të brishtë dhe të papërmbushur, apo simbolin, lehtësisht shqetësues, për pamundësinë për të qenë normalë, autorja ia lë lexuesit ta vendosë...

Majlinda Xhaferaj, 26 vjeçarja nga Vlora, avokate e gjuetisë. E shkolluar në Izrael dhe Greqi për Okulistikë dhe Administrim Biznesi, Majlinda flet për pasionin e saj më të madh, gjuetinë. “Gjuetia ka qenë pjesë normale e fëmijërisë time të hershme. Stër-stërgjyshi im, stërgjyshi im, gjyshi im kanë qenë gjahtar me emër. Ashtu është edhe babai im. Une jam vajza e parë në familje që trashëgoj këtë traditë. Në gjuhën popullore: gjuetinë e kemi traditë në 400 breza” shprehet Majlinda. Që në moshën 7-vjeçare babai e merrte me vete për gjah dhe që prej asaj kohe nuk ka rreshtur së dali për gjueti. Ishte babai ai që i ka mësuar të gjitha rregullat e gjuetisë, sigurisë, mbijetesës në kushte ekstreme në natyrë, dhe respektimit të natyrës dhe kafshëve. Vitin e kaluar, në 25 vjetorin e saj, prindërit i dhuruan armën e saj të parë të gjuetisë: Fabarm L4S. Por, për arsye të moratoriumit të tretë, nuk ka mundur ta përdorë ende armën e re. Por pasionin e saj e ka zhvilluar dhe në fushën e qitjes, fillimisht në qitjen e objektivave statik dhe më pas me qitje në pjatele.