Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Harapash me djathë, sallam dhe salcë / Supë me panxhar / Picë me lakër.
Hapësirën e bisedës në studion e “Rreze Dielli” sot ia dedikojmë bukurisë, pikërisht trajtimit estetik të fytyrës dhe trupit. Me estetisten Vasilika Mango, flasim për rëndësinë e masazhit manual. Çfarë është masazhi lifting i fytyrës, si funksionon dhe cilat janë përfitimet kryesore? Në çfarë moshe këshillohet të niset ky lloj masazhi dhe sa kohë duhen për të parë rezultate dhe sa të qëndrueshme janë ato? Përveç masazhit manual të fytyrës, me një rëndësi të veçantë është dhe masazhi i trupit, pasi ndikon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, eliminimin e toksinave, lehtësimin e stresit, por gjithashtu dhe në formësimin e trupit. Sa shpesh duhet të bëhen masazhet manuale të trupit dhe si ndikojnë ato në reduktimin e celulitit? Në studion e Rreze Dielli estetistja ndan dhe disa këshilla kujdesi për zonjat në shtëpi, gabimet që mund të bëhen si dhe tregon disa teknika të thjeshta që mund të aplikohen në shtëpi.
Viti i Ri Kinez është një nga festat më të rëndësishme në botë. 29 janari shënon fillimin e Vitit të Ri kinez, i cili bazohet mbi kalendarin hënor. Festa zgjat për rreth dy javë ku traditat, festivalet, ngjyrat, dritat dhe gatimet pushtojnë vendin, pasi konsiderohet si festa më e rëndësishme dhe simbolizon ardhjen e pranverës. Në studion e "Rreze Dielli" flasim me pedagogen Megi Tirana dhe Atinela Nikolla, studiuese e kulturës kineze. Si e festojnë kinezët Vitin e Ri? Si ndryshon ai nga Viti i Ri Perëndimor? Cilat janë simbolikat e ushqimeve të veçanta që gatuhen për këtë festë? Rëndësia e ngjyrës së kuqe, fishekzjarreve dhe zarfeve të kuqe me para "Hongbao"… Çfarë karakteristikash dhe energjish sjell për njerëzit dhe botën, çfarë e bën kaq magjike dhe të veçantë? Po komuniteti kinez në Shqipëri si e feston këtë festë dhe a ka ndikuar kultura kineze në traditat shqiptare në ndonjë mënyrë? Në studion e Rreze Dielli panelistet ndalen dhe në horoskopin kinez, çfarë përfaqëson ky vit sipas kalendarit kinez dhe cilës shenjë i takon viti 2025 dhe si do ndikojë në shenjat e tjera. Për të gjithë adhuruesit e horoskopit kinez zbulojmë dhe vitet që korespondojnë në ndarjen e secilës shenjë.