Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 31 Maj 2024 - Receta/ Celuliti/ Horoskopi i muajit Qershor/ Këngët e liqenit

31 Maj, 15:56

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Kulaç me djathë / Tavë me brokoli dhe lulelakër/ Petulla me kos.

Mite dhe fakte për celulitin. A zhduket ai përfundimisht? Cilat janë metodat më të mira të trajtimit, ushtrimet që ndihmojnë celulitin dhe ushqimet që e përkeqësojnë atë…Flasim në studion e “Rreze Dielli” me estetisten Sidorela Gremi për teknikat më të thjeshta që mund të përdorim në kushte shtëpie për reduktimin e celulitit, sigurisht duke patur kujdes dhe në regjimin ushqimor dhe hidratimin sa më të madh të organizmit. Gjithashtu rekomanduam dhe një maskë në kushte shtëpie me përbërës natyral.

Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve" në Rreze Dielli, Jorgo Pulla tregon si do të jetë muaji Qershor sipas astrologjisë, shenjat më me fat dhe ndikimi planetar tek secili zodiak. “Është muaji më perfekt, më i vrullshëm sa i takon çështjeve ekonomike financiare. Ndikimet planetare përgjatë këtij muaji do të sjellin një Qershor tepër pozitiv, pasi ka të bëjë me ndryshime të mëdha, sidomos në çështjet e punës dhe karrierës. Tani në këtë periudhë sugjerohet që të ecim pak më shpejt, është koha ideale për të zgjidhur problemet e së shkuarës” thekson Pulla. Favorizimet më të mëdha do të kenë shenjat e ajrit Binjakët, Ujorët dhe Peshorja.

‘Këngët e liqenit’ rikthehen nga Arben Duro pas kaq vitesh… Artisti Arben Duro e ka nisur muzikën që në moshë të re, si një pasion i madh, por që do e shoqëronte përgjatë gjithë jetës. Ishin vitet ’80 koha kur edhe ai vetë u bind vërtetë se kishte një talent të veçantë në këndim. Ambjenti ku ai bashkë me shoqërinë këndonte, ishte te kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, të cilat dita-ditës filluan të mbusheshin me spektatorë të rastësishëm, duke u bërë më pas ndjekësit apo fansat e rregullt të tyre. Këta djem të talentuar edhe pse nuk ishin marrë me aktivitete artistike, nuk u mungonte dëshira për të kënduar dhe për krijuar këngë të reja, të cilat dhe sot njihen si këngët e djemve të liqenit.