Zonja Albana solli sugjerimet e saj të recetave plot shije në “Rreze Dielli”. Receta e përzgjedhur për ditën e sotme ishte: Petulla të ëmbla servirur me krem kakao me lajthi. E ftuar në këndin e kuzhinës këngëtarja Rajmonda Kamberi, e cila përgatiti në studion tonë dy receta të traditës, Patëllxhanë të mbushur Imam Bajalldi dhe Trahana me thërrime djathi.
Dekori i shtëpisë mund të duket një gjë e lehtë, por në fakt nuk është. Kjo bëhet edhe më e vështirë kur hapësira në shtëpi është kufizuese. Për këtë arsye ndodhin edhe gabime të ndryshme duke e bërë shtëpinë të duket jo aq e këndshme apo mikpritëse sa do të dëshironim. Ndërsa planifikojmë arredimin e shtëpisë njerëzit shpesh blejnë dhe investojnë në gjëra që pëlqejnë dhe më vonë ndodh që të kuptojnë se nuk kanë qenë zgjedhjet më të mira për t'u bërë. Ekspertja e arrredimit Anila Hetoja na tregon disa nga trendet më të reja dhe blerjet e zgjuara si dhe gabimet që duhet të evitojmë në arredimin e shtëpisë. Së pari perdet janë shumë të rëndësishme dhe ka disa rregulla të caktuara sesi ato duhet të vendosen. Nëse e gaboni gjatësinë, nuk i hekurosni dhe nuk i kapni bukur, shtëpia do të duket e çrregullt dhe e zhveshur. Gjithashtu edhe varja e piktuarave në mur ka disa rregulla edhe pse të pashkruara, për t'u dukur sa më bukur estetikisht.
Ndërkohë që numri i lindjeve në të gjithë botën ka rënë ndjeshëm, sigurisht dhe Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim, një histori e bukur frymëzuese na vjen nga materniteti “Koço Gliozheni” në Tiranë, ku Neta Deda, një nënë e re nga Lezha, ka sjellë në jetë fëmijën e saj të shtatë, pas pesë vajzave dhe një djali. Hana, e sapo ardhura në familje, i ka gëzuar të gjithë në farefis, ndërsa më i emocionuar duket se është babai, Arbri, i cili e mori këtë status për herë të shtatë dhe ende po e përjeton. Neta dhe Hana e vogël gëzojnë shëndet të plotë, falë punës së mjekëve dhe infermjerëve. Tashmë, krahas bonusit të bebes që ata përfitojnë nga programi social universal si familje me shumë fëmijë, ajo që të mbetet në mend teksa sheh këtë portret të bukur familjar, është lumturia e një shtëpie plot, me shumë zhurmë, siç e kemi patur dikur traditë në familjet shqiptare.
Në studion e “Rreze Dielli”, Niki së bashku me Anxhela Hoxhën japin disa këshilla praktike shumë efikase për zonjat e shtëpisë. Ndonjëherë kur shkojmë për të blerë ushqime, mund të marrim më shumë se ç’duhet. Frutat dhe perimet vazhdojnë të piqen edhe pas blerjes dhe për fat të keq mund të përfundojmë duke e hedhur një pjesë të madhe të tyre. Ruajtja e duhur e ushqimit mund të na kursejë para dhe sidomos kur parandalojmë që frutat dhe perimet të shkatërrohen shpejt. Nga ruajtja e patateve gjatë në shportë tek jetëgjatësia e hudhrave, lakrës dhe bananes… tregojmë disa truke të thjeshta.