Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 4 Dhjetor 2025 – Receta/ Rikthim në natyrë/ Bëje vetë, botoks natyral për fytyrën

4 Dhjetor, 15:24 | Përditesimi: 4 Dhjetor, 15:24

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pulë me birrë dhe speca / Role me kungull e karrotë / Qofte me patate dhe lulelakër.

Sot folëm për një substancë që vjen nga toka, por ka potencial të jashtëzakonshëm për shëndetin tonë: acidi humik. Formuar për miliona vite nga shpërbërja natyrore e bimëve dhe mikroorganizmave, ai është një nga pasuritë më të fuqishme organike që natyra na ofron. Në kohën kur trupi ynë është i ekspozuar ndaj toksinave, metaleve të rënda, ushqimeve të përpunuara dhe stresit që dobëson imunitetin, acidi humik vjen si një aleat i çmuar. One Health është filozofia e re botërore e shëndetit: një njeri i shëndetshëm jeton vetëm në një mjedis të shëndetshëm dhe në bashkëjetesë të sigurt me kafshët. Nuk mund të mbrojmë shëndetin e njerëzve pa mbrojtur tokën, ujërat, pyjet dhe kafshët. Studiuesit thonë se ai ndihmon në detoksifikimin e organizmit, rregullimin e mikrobiomës së zorrëve, mbështetjen e imunitetit, madje edhe në luftimin e disa infeksioneve virale dhe bakteriale. E veçanta? Është 100% natyror dhe vepron në bazë, në nivel qelizor. Zbulojmë në Rreze Dielli me të ftuarit Marjus Myzeqari, themelues i "One Health" dhe mjekun Arlind Shehu se çfarë është saktësisht acidi humik, si funksionon, për cilat probleme shëndetësore rekomandohet, dhe kur duhet të jemi të kujdesshëm në përdorimin e tij. Një temë e re, e thellë dhe shumë aktuale për ata që duan të mbështesin shëndetin në mënyrë natyrale.

Në rubrikën “Bëje vetë” Niki me Stelën realizojnë një maskë botoks natyral për një fytyrë rinore me vetëm dy përbërës: fara liri dhe miell orizi. Një maskë fantastike kundër rrudhave të fytyrës, njollave kafe, por dhe poreve të lëkurës, e thjeshtë për ta realizuar dhe super praktike në aplikim. Jepini fytyrës tuaj hidratimin dhe shkëlqimin me këtë maskë të shpejtë në kushte shtëpie! Gjithashtu vajzat tregojnë një mënyrë për të shkëlqyer fytyrën me lëkurat e bananeve.

MC/Shqiptarja.com