Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 4 Nëntor 2024 – Receta/ Horoskopi javor nga Jorgo Pulla/ Miomat në mitër, trajtimi natyral

4 Nëntor, 16:13

Zonja Albana solli dy receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pashaqofte, supë tradicionale / Petulla me miell misri.

Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një analizë të detajuar për javën e parë të këtij muaji, 4- 10 nëntor, për të gjitha shenjat e zodiakut. Sipas astrologut Pulla kjo javë do të ketë ndikime të forta planetare që si rrjedhojë do të sjellin ndryshime shumë të mëdha si dhe lëvizje nga puna. Ndikimi i Marsit në Shigjetar do të sjellë problematika dhe stuhi në fusha të ndryshme. Kujdes dhe vëmendje më të shtuar duhet të kenë shenjat e ajrit! “Duke filluar nga kjo javë deri në mars të 2025 do të kemi ndryshme kolosale në çdo fushë. Nëse duhet të bëjmë diçka është mirë që të analizojmë gjithçka dhe pa qenë të sigurtë nuk duhet të nisni asnjë plan te ri, kjo sa i takon fushës së punës dhe karrierës” këshillon Jorgo. Përgjatë kësaj periudhe do të kemi dhe Marsin në retrogradë, nese nuk jemi të sigurtë për diçka nuk duhet të nxitojmë, kjo është dhe motoja e kësaj jave.

Studimet mjekësore kanë treguar se katër nga pesë gra ndërmjet moshës 30-50 vjeç mund të kenë fibroide ose siç njihen ndryshe mioma në mitër. Në shumicën e rasteve, këto masa si 'një mish i huaj' nuk shkaktojnë simptoma, këto në varësi të llojit, pozicionimit dhe madhësisë, por ka dhe raste që shenjat janë të qarta dhe nuk duhen neglizhuar si gjakderdhje të mëdha gjatë ciklit, dhimbje barku, parehati gjatë marrëdhënieve seksuale, etj. Gjithashtu miomat mund të shkaktojnë anemi apo probleme me fertilitetin si dhe të ndikojnë seriozisht në cilësinë e jetës së gruas. Në studion e "Rreze Dielli" në rubrikën 'Bima dhe Shëndeti' me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja, tregojmë se çfarë janë miomat, cilat janë shkaqet e shfaqjes së tyre, faktorët e rrezikut dhe si t'i trajtojmë pa pasur nevojën e ndërhyrjes kirurgjikale.