Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me petë sfoliatë, kungull dhe djathë / Gjyveç me klitharaqe / Patëllxhanë me kos dhe hudhra.
Javën e kaluar, nutricionistja e njohur Matina Çobo i ka dhënë fund beqarisë me bashkëshortin e saj Klaton Kumaraku, në një ceremoni private që mblodhi shumë familjarë dhe të afërm. Mjekja nutricioniste e veshur nën një fustan si një princeshë përjetoi momentin më të ëmbël të jetës së saj, por qershiza mbi tortë ishte vajza e çiftit, Kapris e cila mori pjesë në dasmën e prindërve të saj... Matina në studion e “Rreze Dielli” rrëfen emocionet e kësaj dite të madhe si dhe kujton propozimin për martesë disa vite më parë, një moment shumë special pasi ndodhi fiks si në përralla, në ishullin e dashurisë, në Capri të Italisë, vendi i cili inspiroi çiftin edhe për emrin që i vendosën vajzës vite më pas.
Në rubrikën “Bëje vetë” me estetisten Sidorela Gremi realizojmë tre maska të shpejta për flokë të gjatë dhe të shëndetshëm, maskë për pastrimin dhe hidratimin e fytyrës si dhe një maskë për rrudhat e qafës me përbërës natyral që të gjithë i kemi në shtëpi. Estetistja rekomandoi dhe terapinë me akull, një nga më të mirat për relaksimin, qetësimin dhe tonifikimin e fytyrës dhe dekoltesë. Mund të përgatisni vetë në shtëpi kubikë akulli me sherebel, kamomil, livando dhe aloe vera dhe të masazhoni për disa minuta mollëzat e fytyrës dhe pjesën e dekoltesë.
Të rinj me origjinë shqiptare të moshës 18-24 vjeç që jetojnë në diasporë kanë mundësinë që përgjatë 2 javëve në muajin Gusht të këtij viti të bëjnë një udhëtim (falas) nëpër Kosovë dhe Shqipëri, ku do të kenë mundësinë të vizitojnë vendet më të shquara shqiptare sa i përket historisë, kulturës, traditës në Prekaz, Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Pejë e Gjakovë në Kosovë dhe Tiranë, Petrelë, Krujë, Berat e Karaburun në Shqipëri. Ky projekt, thotë organizatori Naim Robelli, ka për synim që të rinjtë e diasporës nga Europa dhe Amerika të forcojnë rrënjët e tyre shqiptare dhe pse jo në të ardhmen të kenë mundësi të angazhohen në vendet e tyre të origjinës duke kontribuar në aspektin profesional apo në një formë tjetër.