Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 5 Mars 2025 – Receta/ Agjërimi, benefitet dhe gabimet që bëhen në ushqim/ Të vishesh sipas formave të trupit

5 Mars, 16:22

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tasqebap me mish viçi / Kimë me domate, vezë dhe djathë / Tiramisu.

Shoqata Amerikane e Zemrës thotë se agjërimi prej 16 orësh rrit me 91% rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Në një botë ku njerëzit agjërojnë, si qëndron e vërteta? Specialisti i mjekësisë holistike Altin Joka sqaron dhe argumenton këtë deklaratë, e cila sipas Altinit është një hulumtim dhe jo një studim. Sa probabilitet të vërtetë ka kjo deklaratë dhe cilat janë përfitimet shëndetësore që sjell agjërimi për trupat tanë? Nga ana tjetër a po e bëjmë agjërimin siç duhet në aspektin ushqimor? Cilat janë gabimet dhe si balancohet syfyri dhe iftari? A mund të jetë problem kryesor gjatë agjërimit cilësia e ushqimeve që konsumohen gjatë periudhës së ngrënies? Cilat janë gabimet që bëjnë njerëzit gjatë kësaj periudhe agjërimi? Si duhet të balancohet syfyri, pse nuk duhet ngrenë shumë dhe iftari? A duhet të përmbajë proteina, fibra, apo yndyra të shëndetshme? Ka njerëz që konsumojnë shumë ujë, çajra, me idenë për të mos patur etje gjatë ditës, sa i ndihmon ky veprim? A duhet kafeja pas syfyrit? Po ëmbëlsirat apo frutat? A ka ndonjë ushqim të veçantë që rekomandohet nga feja islame për të filluar iftarin dhe pse? Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve i marrim në studion e “Rreze Dielli” nga nutricionisti Altin Joka.

Të vishesh sipas formave të trupit është një mënyrë e shkëlqyer për të theksuar pikat e forta dhe për të krijuar një pamje më të balancuar dhe të harmonizuar. Gjithmonë është e rëndësishme të kesh besim në atë që po vesh dhe të zgjedhësh veshje që të bëjnë të ndihesh rehat dhe e sigurtë. Të njihni trupin tuaj është hapi i parë për të vlerësuar forcën e figurës dhe për të fshehur ato pjesë kritike që nuk ju pëlqejnë! Trupi femëror kategorizohet përmes pesë llojeve të ndryshme të formave si dardhë, mollë, trekëndësh, drejtkëndësh, apo orë rëre. Por si mund të krijojmë iluzionin e një siluete trupi më të balancuar me anë të rrobave që veshim? Stilistja Griselda Rexhaj në studion e "Rreze Dielli" na tregon sesi të zgjedhim veshjet e duhura sipas formave trupore. Stilistja gjithashtu jep këshilla praktike mbi zgjedhjen e pëlhurave, modeleve dhe aksesorëve për të arritur një pamje sa më elegante dhe të ekuilibruar.