Zonja Albana solli dy receta tepër të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë dheu tradicionale dhe Supë me lëpjetë dhe me kos.
Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim të detajuar për javën e parë të këtij muaji, 5-11 shkurt për të gjitha shenjat e zodiakut, duke bërë një renditje nga vendi i dymbëdhjetë në vendin e parë. Me Hënën në Shigjetar do të kemi shumë ndryshime dhe vendime të rëndësishme, është një javë me ndikime dinamike planetare për të gjitha shenjat. Kujdes me komunikimin, ruhuni nga grindjet!
Në “Bima dhe Shëndeti” flasim për një bimë shumë të veçantë "top akulli”, që ndoshta e kemi në oborrin e shtëpisë, por vlerat dhe dobitë nuk ia dimë. Në vendin tonë kjo bimë njihet me disa emra që janë krahinore, në zonën e Shkodrës njihet si gjethja e babanikut, ndërsa zona e jugut e njeh si bari i veshit, duke qenë se xheli që mban gjethja e kësaj bime kur shtypet qetëson dhimbjen e veshit. Në latinisht përkthehet bima e përjetësisë për shkak të jetëgjatësisë që kjo bimë ka në rritjen e saj si dhe për vlerat e mëdha shëndetësore, duke qenë se xheli që ndodhet në brendësi të gjethes përmban acide organike dhe flavonole duke bërë që të ketë veti të fuqishme antibakteriale dhe jo vetëm. Në studion e “Rreze Dielli”, specialisti i bimëve mjekësore tregon si të përdorim këtë bimë në trajtimin e shumë problematikave shëndetësore.