Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 5 Shtator 2023 – Receta / Të pathëna për Nenë Terezën /Boom-i turistik i Shqipërisë

5 Shtator 2023, 16:27

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Qeshqek tradicional me pulë / Pite pa petë me patëllxhanë / Sallatë e ftohtë e marinuar me vaj dhe uthull.

5 Shtatori, data kur Papa Françesku vendosi të shenjtërojë 7 vite më parë, murgeshën katolike me origjinë shqiptare, përkon me ditën kur ajo, më vitin 1997 u nda nga jeta. “Një jetë në shërbim të të tjerëve” ky ishte misioni i shenjtores Nënë Tereza, të cilës Ati i Shenjtë i njohu mrekullitë e bëra në shërimin e një gruaje nga kanceri dhe shërimi i një personi tjetër në Brazil, i prekur gjithashtu nga tumori. Për punën dhe kontributin e saj, veçanërisht me fëmijët në Kalkuta të Indisë, Nënë Tereza është vlerësuar me çmimin Nobel të Paqes. Sot, në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, në studion e ‘Rreze Dielli’, në një lidhje skype, studiuesi Sami Flamuri rrëfen mbi të pathënat e jetës së bamirëses me origjinë shqiptare.

Boom-i turistik i këtij sezoni në vendin tonë, prenotime që vazhdojnë deri në tetor… Sipas tabloideve perëndimore, Shqipëria është konsideruar këtë vit si surpriza e vërtetë e turizmit në Ballkan. Statistikat e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit flasin për një rritje të vizitorëve me 54 % që nga shkurti, krahasur me shkurtin e vitit të kaluar. Deri tani, turistët që kanë hyrë në territorin tonë janë nga të gjithë nacionalitetet, por në një numër gjithmonë e më të madh kanë qenë shtetasit italian dhe spanjoll të cilët kanë preferuar bregdetin e jugut të Shqipërisë. Por turizmi ka dhe një anë tjetër të medaljes, turistët shprehen se natyra dhe deti janë fantastike, por janë përballur dhe me abuzime çmimesh, probleme bazike në infrastrukturë, mungesë korrektese, apo incidente... Pra paçka bekimit që vendi ynë ka nga nëna natyrë, a jemi ne gati për të pritur një numër të madh turistësh? Dhe çfarë mësuam nga ky vit që të përmirësohemi për vitin tjetër? Çfarë mendojnë panelistët e ftuar në studion e “Rreze Dielli”, Altin Prenga, sipërmarrës; Flora Baba, eksperte turizmi; Pavlin Polia, sipërmarrës dhe Ermal Qorri, gazetar.