Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë me lakër me beshamel / Byrek me qepë dhe domate / Pufka me sherbet.
Në ditët e sotme, gjithnjë e më shumë flitet për ushqime me hormone apo fruta dhe perime të sperkatura me kimikate, dhe të gjithë ndajmë shqetësimin sesi mund të ushqehemi shëndetshëm në këtë treg mbushur me produkte të bukura në pamje, por jo aq në vlera ushqyese. Ndaj, është me rëndësi që të kemi njohuritë e domosdoshme që të bëjmë një dallim të shpejtë, si të zgjedhim në treg frutat dhe perimet më të mira. Në studion e “Rreze Dielli” me nutricionistin e njohur Altin Joka flasim për mënyrat e zgjedhjes së shportës së vjeshtës nëpërmjet 4 komponentëve bazë: të nuhaturit, shijuarit, të parit dhe prekjes. ‘Kjo nuk është mënyra definitive, por është një proces që gradualisht na ndihmon tek përzgjedhja e duhur e tyre’ shprehet nutricionisti, i cili teksa tregon sekretet sesi të zgjedhim në treg frutat dhe perimet më të mira tregon dhe mënyrat sesi të konsumohen këto ushqime për të përftuar vlerat maksimale. Me shumë rëndësi është dhe mënyra e trajtimit në kushte shtëpie të perimeve dhe frutave për të larguar pesticidet deri në 90 %. Po cila është mënyra më e mirë për të pastruar frutat dhe perimet sipas nutricionistit Joka: uthulla, kripa apo soda?
Ato janë një grup zonjash që shëtisin botën për të njohur kultura të ndryshme... Prej 10 vitesh, Romanina, Giovanna, Flavia, Raffaela, Luciana, Maria Pia dhe Aldina kanë zgjedhur të bashkojnë pasionin për udhëtimet me humanizmin, duke formuar grupin që sot njihet si “Lady Aventura”. Së fundmi “Zonjat Aventuriere”, siç njihen ndryshe, kanë ardhur për të vizituar Shqipërinë, për t’a njohur këtë tokë, por dhe për të dhënë kontributin e tyre humanitar. Kanë udhëtuar shumë, duke njohur kështu histori e njerëz nga e gjithë bota, pa harruar qëllimin final - të ndihmojnë aty ku vërtetë duhet një dorë. Motivimi dhe energjia që zonjat transmetojnë është i admirueshëm, veçanërisht kur flasin për vendet e bukura që kanë parë gjatë vizitës për herë të parë në vendin tonë. Mesazhi që zonjat transmetojnë sot është i thjeshtë, ndihma ndaj të tjerëve dhe promovimi i vendeve si Shqipëria është i domosdoshëm, duke i bërë ato së pari misionare e më pas frymëzim për të gjithë ata që një ditë do të duan të bëjnë humanizëm.