Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Qofte frikase / Bishtaja me oriz / Lulelakër e skuqur me erëza.
I ftuar në “Rreze Dielli” ishte këngëtari i njohur i serenatave korçare Mihallaq Andrea. Për shumë njerëz që e njohin ai është simboli dhe përfaqësuesi më i mirë i qytetit të Korçës. Në një rrëfim për nisjen e karrierës, familjen dhe sigurisht miqtë, Mihallaqi u ndal tek momentet kur thirrja e brendshme e artistit u kthye në këngët që sot njihen nga të gjithë. Lidhja e tij me muzikën do të niste që në moshë të re, kur nisi të krijonte këngët e para, për t’u bërë më pas me zërin e tij të veçantë pjesë e pandarë e serenatave korçare. Mihallaq Andrea është cilësuar si këngëtari i dashurisë, i cili pavarësisht historisë së trishtë të jetës, pranon se është i bekuar, pasi gjithë jetën ka qenë i rrethuar nga njerëz që e kanë dashur në mënyrë të pakushtëzuar. Gjithashtu ai rrëfeu lidhjen e ngushtë që ka me kitarën, studion e tij dhe padiskutim me librat që ka shkruar. Gjatë intervistës, u përshëndet me dy videomesazhe nga njerëzit e tij më të afërt të familjes, i biri, Kristi dhe mbesa Ema Andrea, aktorja e njohur nga të gjithë. I emocionuar Mihallaqi pohoi se Andrea-t janë shpesh qaramanë kur vjen puna tek arti apo tek familja, pasi preken shpejt dhe ndjejnë shumë.