Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Lakuriqi i Shkodrës – Ëmbëlsirë me kungull të verdhë / Gjellë me mish viçi dhe qepë të njoma / Supë me mish pule, domate dhe oriz.
Bukuria, a i vë vulën suksesit? Sot, për hir të imazhit shumë personazhe i drejtohen kirurgut… Në kohën e sotme presioni social apo mediatik sjell apo promovon individë të bukur fizikisht, të cilët i japin rëndësi pamjes më shumë se përmbajtjes. Në showbiz bukuria dhe rinia vlerësohen më shumë se çdo profesion tjetër. Dihet që Hollivudi nuk i fal rrudhat apo njerëzit e shëmtuar… ndaj shumë personazhe të njohur i drejtohen kirurgjisë plastike. Në emisionin "Rreze Dielli" u shtruan sot disa pyetje në lidhje me temën: Bukuria, a i vë vulën suksesit? A është e vërtetë se shoqëria jonë i sheh njerëzit e bukur, profesionalisht edhe më të suksesshëm? Në cilat profesione, bukuria i vë vulën suksesit? A paragjykohet ende një femër e bukur për arritjen e saj në fusha të ndryshme? Po meshkujt? Të ftuarit Albatros Rexhaj, Stela Nikolla dhe Egla Harxhi ndanë mendimin dhe eksperiencën personale në raport me paraqitjen e jashtme dhe suksesin e tyre në fusha të ndryshme.
Në studion e "Rreze Dielli" u diskutua sot rreth një praktike inovative që pritet të aplikohet në Shqipëri dhe që ka të bëjë me përshkrimin zanor të filmave apo shfaqjeve për personat e verbër, i njohur gjithashtu si përshkrim audio ose video përshkrues. Kjo praktikë, e cila ka vite që aplikohet nëpër botë, është sjellë në Shqipëri nga suedezi Peter Lilikrone në kuadër të programit "Artnexus". Në studio, Peter tregoi se kanë nisur të zhvillohen masterklase për këtë praktikë dhe se në të mund të përfshihet kushdo që e do artin dhe skenën. Në thelbin e tij, përshkrimi audio është një akt dashamirësie dhe përfshirjeje. Ai sjell në jetë nuancat delikate të një skene, dramën e një shfaqjeje teatrale apo emocionin e një ngjarjeje në kohë reale, për të gjithë ata që nuk mund ta shohin atë. Nga interpretimi i shprehjeve të fytyrës e deri te pikturimi i një tabloje dëgjimore të peisazheve dhe kostumeve, përshkrimi zanor vepron si një urë narrative, duke i lejuar individët me shikim të dëmtuar të kalojnë në një botë të pa aksesueshme më parë.