Zonja Albana solli dy sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me pulë dhe erëza / Tortë Mimoza.
Në ditën e 7 marsit, festës së mësuesit flasim në studion e “Rreze Dielli” me çiftin e vjetër të mësuesve Muhamet dhe Violeta Kuqi. Muhamet Kuqi gjithë jetën ia dedikoi mësuesisë si mësues i histori-gjeografisë. Në Elbasan ai njihet si “mësuesi hero” duke qenë se nuk e la profesionin edhe pas një goditje në tru, një paralizë që i mori gjysmën e trupit. Muhameti nuk u dorëzua, vazhdoi mësimdhënien dhe pikërisht tek nxënësit e tij gjeti forcën dhe fuqinë më të madhe. Prej një viti ai ka dalë në pension dhe i kujton me mall vitet e mësuesisë, edhe pse nxënësit e tij duket se nuk e kanë harruar, pasi e kujtojnë shpesh. Ndërsa bashkëshortja e tij, Violeta vijon ende pas 36 viteve të japë mësim në ciklin fillor. “Mësimdhënia është kënaqësia ime më e madhe, më bën të lumtur, panvarësisht përballjes me breza të ndryshëm” shprehet mësuese Violeta.
Xhoi Jakaj, një nga mësueset më pasionante të Gjimnazeve të Tiranës, edhe pse është shkëputur nga mësimdhënia, i kujton si vitet e saj më të bukura të karrierës. Edhe pse në një tjetër formë, Xhoi vijon edhe sot të punojë me fëmijët duke u fokusuar në evidentimin e talenteve të tyre. Pikërisht dy vajzat Iris Hysendhima dhe Jusra Zykollari që i bashkohen bisedës janë mjaft të talentuara, por dhe nxënëse të shkëlqyera. Dy nxënëset e vogla flasin për raportin që kanë me mësueset e tyre. Pyetjes se si është modeli i një mësuesi të mirë në ditët e sotme, ato i përgjigjen: Mësuesi duhet të jetë mirëkuptues, të mos jetë shumë i rreptë, por të ketë autoritet dhe rregulla. Ndërsa Xhoi Jakaj kujton dy mësuesit e saj, të cilët në njëfarë mënyre i kanë shënjuar jetën, organizimin dhe bllokun e shënimeve duket se dhe sot e kësaj dite e ka të trashëguar pikërisht nga njëri prej mësuesve të saj. “Sfida e mësuesit sot është të edukojë dhe t’i japë dije edhe atyre nxënësve që janë më problematikë” shprehet Xhoi.
“Gruaja e ngrënshme”, një vepër feministe, plot humor të zi, ku gruaja bëhet një tjetër produkt ‘i ngrënshëm’ dhe i komercializuar për oreksin e krijuar nga mediat... Në studion e “Rreze Dielli” Botuesja Loreta Berhami prezanton një nga librat bestseller të Margaret Atwood “Gruaja e ngrënshme”, një vepër brilante dhe e fuqishme, e mbushur me ironi dhe metafora, një kryevepër e paharrueshme shkruar nga një mjeshtre e vërtetë e letërsisë bashkëkohore.