Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 7 Mars 2025 – Receta / Mësuesit, rrëfime nostalgjike plot emocion

7 Mars, 15:49

Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tortë Mimoza / Këmkuqe me djathë sipas traditës çame / Tavë me bukë dhe sallam.

Sot është një ditë tejet e veçantë, 7 Marsi Dita e Mësuesit, një datë që shënon hapjen e Mësonjëtores së parë shqiptare në Korçë. Kjo ditë shenjuese tashmë është kthyer në një festë kombëtare mirënjohje për të gjithë mësuesit, të cilët janë më shumë se thjesht udhëheqës drejt rrugës së dijes, ata janë udhërrëfyes dhe shpeshherë shokë të besuar në udhëtimin tonë të jetës. Në këtë ditë, le të shprehim respektin, admirimin dhe mirënjohjen tonë për kontributin e tyre të palodhur në formimin tonë dhe të brezave të ardhshëm. Në studion e “Rreze Dielli” ndajmë një bisedë sa të këndshme, po aq dhe nostalgjike me tre ish-mësues të dashur Suzana Burrja, Nexhmije Karazi Beja dhe Qerim Doka, të cilët rrëfejnë kujtimet, sfidat dhe emocionet e një jete në arsim. 'Kartolinat e zemrës', mësuesit kujtojnë me nostalgji 7 Marsin ndër vite duke ndarë dhe disa nga momentet më të paharrueshme të tyre, ndërsa mësues Qerimi hap letrën e ish-nxënëses së tij Fiona Shehaj, të dërguar 20 vite më parë në shenjë mirënjohje, një letër të cilën ai e ruan me fanatizëm dhe që sot e kësaj dite e emocionon pa masë. Ish-mësuesit flasin dhe për sfidat që hasin sot mësuesit, cilat janë karakteristikat e një mësuesi të mirë dhe si ka ndryshuar roli i mësuesit ndër breza.