Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 7 Shkurt 2025 – Receta/ Taktika kineze në balancimin e energjisë / Maska natyrale/ Vlonjati nga Parisi

7 Shkurt, 15:34

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Fërgesë me kimë / Gjella e çobanit / Panna cotta me fruta pylli.

Feng Shui njihet si një teknikë e lashtë kineze që ka në fokus ndërveprimin e elementëve të natyrës me njeriun, në ambientet ku ai jeton. Kjo praktikë e lashtë përdoret për të balancuar energjinë në hapësirat tona ku punojmë dhe jetojmë. Origjina e Feng Shui-t e ka zanafillën mbi 4000 vjet më parë. Feng Shui (Erë – Ujë) përshkruan një praktikë që përdor forcat e energjisë për të harmonizuar individin dhe mjedisin përreth tij, duke krijuar një ekuilibër me botën natyrore dhe duke tërhequr energji pozitive. Si shembull, kur mobiloni banesën tuaj sipas feng shui, ju lejoni që energjia të rrjedhë lirshëm nëpër dhoma, duke përmirësuar vibrimet në hapësirën tuaj, dhe nga ana tjetër duke përmirësuar mirëqenien tuaj personale. Në lidhje me këtë praktikë flasim në studion e “Rreze Dielli” me Amadea Stefa, e cila do të na tregojë gabimet që më së shumti bëjmë në shtëpi, si të sjellim një energji të mirë në ambjentin ku jetojmë dhe si të shkarkojmë energjitë negative.

Në pjesën e dytë, në rubrikën ‘Bëje Vetë’ me Stela Nikolla fokusohemi te maskat natyrale për fytyrën dhe trupin, duke sjellë receta të thjeshta dhe efektive për një lëkurë të shëndetshme, Cilët përbërës janë më të mirë për llojin tuaj të lëkurës dhe si mund t’i përgatisni në shtëpi? Zbulojmë bashkë sekrete të bukurisë natyrale. Ja maskat dhe truket natyrale të sugjeruara: Botoks natyral për fytyrë gjithë shkëlqim dhe jetë, pa pore dhe rrudha / Antidjersë natyrale në kushte shtëpie / Si të kemi sqetulla të buta, pa njolla të errëta dhe të pastra me përbërës që të gjithë i kemi në shtëpi.

Në studion e “Rreze Dielli” në një lidhje skype nga Franca me Ilir Bendaj, shqiptari i cili ka më shumë se 30 vite që është larguar nga Shqipëria. Ai ka shkelur në të gjithë Evropën, ka jetuar në disa shtete, por sytë i ka ende nga Shqipëria. Ilir Bendaj, shoferi vlonjat që këndon labçe në Paris, teksa u prezanton turistëve nga e gjithë bota vendet turistike. Si reagojnë turistët ndaj këtij shoferi atipik? Flasim me Ilirin, emigrantin nga Vlora, që udhëtoi nga Triporti në Itali, ku qëndroi për më shumë se 2 dekada, më pas në Angli e tashmë, i vendosur në Francë ku punon shofer autobusi për turistë, por kohën e ndan mes punës dhe pasionit për muzikën.