Zonja Albana solli plot katër sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me petë role me gjizë dhe vezë/ Kavurme, gatim me mish, domate dhe speca / Qofte të ftohta me salçiçe pule / Hallvë e ftohtë.
Feliks Haxhija, detektivi më i vlerësuar në Dallas, SHBA, rrëfen eksperiencën e tij në këtë profesion dhe na zbulon rastet më të vështira të investigimit, me temë tradhtinë në çift. Feliks Haxhija është një detektiv privat nga ata të vërtetët siç kemi parë nëpër filma. Ai punon në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aktualisht ushtron profesionin e detektiv-it privat në shumë çështje të rëndësishme. Feliksi, me origjinë nga Vlora, është kualifikuar si një ndër detektivët më të mirë të Dallasit, falë pasionit dhe përkushtimit në punë. Ai ka themeluar së fundmi dhe agjencinë e tij private të investigimit dhe prej vitesh vlerësohet me yje për shërbimet profesionale që ofron.
Prof. Dr. Ilir Çapuni, inxhinieri shqiptar, pjesë e ekipit turk që krijoi dronin "çudibërës" Bajraktar, që fluturon pa pilot dhe qëndron në ajër rreth 27 orë. Ilir Çapuni ka marrë titullin e doktorit të shkencave kompjuterike në Boston University në 2012. Aktivitetin e tij akademik e ka ushtruar në Universitetet më të mira, ku ka stërvitur dhe ekipet olimpike në informatikë duke sjellë medalje të para në Olimpiada Ndërkombëtare. Aktualisht jetën dhe karrierën e ndan mes Ulqinit, Tiranës, Turqisë dhe Amerikës. Kur u krijua droni i njohur Bayraktar, Iliri Çapuni ishte një ndër inxhinierët që u përfshi në pjesën inxhinierike të dronit më popullor luftarak në botë. Aktualisht ndodhet në Turqi, pasi është ende i përfshirë me këtë projekt. Iliri gjithashtu është marrë dhe me projektet robotike, për pajisjet eksperimentale autonome.
Në skype nga Kalifornia me Besjana Mullahi, konsulentja financiare e cila ndihmon fëmijët shqiptarë duke sjellë para dhe ndihma përmes një Fondacioni të krijuar prej saj. Besjana Mullahi, është konsulente financiare, jeton dhe punon në Kaliforni prej shumë vitesh. Profesioni i saj ka të bëjë me këshillat që ajo u jep klientëve që duan të investojnë në treg. Përveç angazhimit profesional, Besjana ka themeluar Fondacionin “Me Zemër” së bashku me disa miq të saj, të cilët ndajnë qëllimin për të ndikuar pozitivisht në grupet më vulnerabël në Shqipëri dhe Kosovë. Fokusi janë kryesisht gratë dhe fëmijët në nevojë. Vizioni i tyre është që të gjithë ata që e vlerësojnë kulturën shqiptare mund të sfidojnë vështirësitë ekonomike rajonale të shumë familjeve në nevojë duke kontribuar në mënyrë domethënëse. Besjana Mullahi rrëfen dhe pasionin e saj për pianon trashëguar nga i ati, kompozitori i njohur Gazmed Mullahi.