Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 7 Tetor 2026, Receta/ Këshilla shëndeti nga Altin Joka / Vlerat e hudhrës

7 Tetor, 16:14 | Përditesimi: 7 Tetor, 16:14

Zonja Mirela solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Pastiçe me makarona Ola / Pulë me miell misri, kos dhe hudhra / Krepa me spinaq dhe tërsherë.

Ka disa tema për të cilat duhet të flasim herë pas here, sepse rreth tyre dëgjojmë vazhdimisht mendime të kundërta. Një ditë na thuhet se një ushqim është i dobishëm, ndërsa pak ditë më vonë dëgjojmë se është i dëmshëm. Kjo krijon konfuzion dhe pasiguri: njerëzit nuk dinë kë të dëgjojnë, çfarë të besojnë dhe si të veprojnë. Prandaj, në këtë emision me Altin Jokën do t’u rikthehemi disa pyetjeve të përditshme për ushqimin dhe zakonet tona. Nga konsumimi i kafesë esëll, heqjen e mëngjesit apo darkës, mishit dhe qumështit shqyrtojmë se çfarë dimë, nga çfarë varet përgjigjja dhe si mund ta vlerësojmë informacionin që dëgjojmë.

Hudhra është një nga ushqimet më të përdorura në kuzhinën tonë, por pas aromës dhe shijes së saj karakteristike fshihen edhe shumë përfitime shëndetësore. Shpesh dëgjojmë se një thelpi hudhër në ditë mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut, të kontrollojë kolesterolin dhe madje të forcojë organizmin. Sa e vërtetë është dhe ku mbaron këshilla popullore e ku fillon ajo që mbështetet nga shkenca? A duhet ta hamë hudhrën të gjallë apo të gatuar? Sa duhet të konsumojmë dhe a mund të ketë edhe efekte të padëshiruara? Sot në “Rreze Dielli” flasim për një nga ushqimet më të zakonshme në tryezën tonë, por edhe për një nga ato që rrethohen nga më shumë mite: çfarë mund të bëjë realisht hudhra për shëndetin tonë dhe kur duhet të tregojmë kujdes? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve flasim me nutricionistin dhe specialistin e mjekësisë holistike, Altin Joka.

MC/Shqiptarja.com