Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 8 Maj 2023 – Receta / Jorgo Pulla, Horoskopi javor / Ylli Merja, Veshi i mesëm

8 Maj 2023, 15:49

Zonja Albana solli dy sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Qofte me oriz në salcë / Bukëza, Pogaçe të vogla me kos.

Sipas astrologut Jorgo Pulla kjo javë na jep një shans për t'u qetësuar ndërsa largohemi nga periudha e eklipseve që shkaktuan situata dhe tronditje intensive. Duhet të jemi të kujdesshëm në fillimin e kësaj jave, pasi më datën 9 maj Dielli formon një lidhje me Uranin në Dem, duke rikthyer në plan të parë nevojën për të hequr qafe mendësitë dhe perceptimet që mendonim se krijonin një kornizë sigurie në jetën tonë. Është e rëndësishme të mos vazhdohet me zgjedhje të nxituara pasi ka të ngjarë që ato të mos kenë zhvillimin që dëshirojmë. Më datën 12 maj, gjashtëkëndëshi i Mërkurit retrograd në Dem me Saturnin tek Peshqit i rikthen në plan të parë çështjet financiare të së kaluarës. Ne kemi mundësinë të mbyllim fondet dhe borxhet që kanë mbetur të papaguara për një kohë të gjatë. Në të njëjtën kohë, na jepet mundësia të shprehim mendime dhe shqetësime që na mundojnë prej kohësh dhe që ndikojnë në jetën tonë personale. Ndërsa më datën 13 maj, gjashtëkëndëshi retrogradë e Mërkurit nga Demi me Venusin në Gaforre forcon disponimin për të shprehur nevojat dhe për t'u afruar më shumë se kurrë me njerëzit që luajnë një rol të rëndësishëm në jetën tonë.  

Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti" me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja u ndalëm në sëmundjet e veshit në përgjithësi si dhe të veshit të mesëm, simptomat, pasojat dhe ndërlikimet shëndetësore. Vertigo apo marramendja është një nga shenjat e para më dalluese që na sinjalizon për sëmundjen e veshit të mesëm. Por kjo sindromë mund të vijë nga shumë probleme shëndetësore siç është çervikalja, tensioni, anemia, diabeti, etj. Shkaqet e sëmundjeve të veshit janë të shumta si: infeksionet virale, bakteriale, myku; futja e ujit në vesh; prishja e florës bakteriale, rrjedhja e veshit; bllokimi i hundëve nga virozat; përhapja e ekzemës në vesh; çervikalja; infeksioni i veshit të mesëm. Që në kohët e lashta janë të njohura trajtimet me bimë të ndryshme mjekësore për kurimin e sëmundjeve të veshit. Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja këshillon dhe rekomandon trajtimin alternativ si një metodë shumë efikase.