Zonja Albana solli katër sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Kek me aromë limoni / Byreçka super të shpejta në shirita / Supë me brokoli / Sallatë me qiqra.
8 Marsi në familjen e Rajna Kovaçi, marrëdhënia me vajzën artiste Ramona Tullumani dhe mbesën Nikol, e rrethuar me dashuri, art dhe përkushtim… Në ditën kushtuar gruas për kontributin e saj të palodhshëm e të pashtershëm, flasim në studion e “Rreze Dielli” me dy gra solare që kanë arritur të jenë të suksesshme profesionalisht dhe të përmbushura në jetë. Rajna Kovaçi, trashëgimtarja e artistit të madh Ramiz Kovaçi, publiciste dhe aktiviste për çështjet sociale dhe Ramona Tullumani një soprano e njohur. Por krahas suksesit profesional, Rajna dhe Ramona janë nënë e bijë. Një rrëfim tepër i veçantë mbi marrëdhënien e tyre duke u rikthyer pas në kohë përmes kujtimeve… Rajna mes emocioneve shprehet se mamaja e saj ishte idhull për të dhe është përpjekur që me të njëjtën dashuri dhe përkushtim të rriste dhe edukonte të bijën dhe në fakt duket se misioni i saj është realizuar, e bija Ramona thotë se mamaja e saj ka qenë dhe mbetet shoqja e saj e ngushtë dhe këtë gjë dëshiron t’ia trashëgojë dhe më të voglës së familjes, vajzës së saj Nikol.
Adile Hoxha është një 37 vjeçare shqiptaro - filipineze shumë e njohur në Tik Tok, ku ndiqet nga 2 milion ndjekës. Ajo poston edhe video në shqip ku ndan historinë e familjes së saj dhe mban gjallë gjuhën apo traditat shqiptare të trashëguara nga i ati Ekrem Hoxha, i biri i Daut Hoxhës. Adile rrëfeu në "Rreze Dielli" se si nisi historia e dashurisë mes prindërve të saj, emigrimin e të atit 16 vjeç nga Shqipëria në 1946 dhe deri tek emri, të cilin e ka marrë nga gjyshja çame. I ati ka ndërruar jetë para 3 vitesh dhe për Adilen kjo ishte një humbje e madhe, pasi i mungon e folura shqip me të, këngët patriotike, ditëlindjet, gatimet tradicionale etj. Ajo tha se ka ardhur vetëm 5 herë në Shqipëri dhe planifikon ta vizitojë sërish këtë verë. Adile është nënë single, ka një djalë 20 vjeçar, Rizai, të cilin e lindi kur ishte adoleshente. Por kjo nuk e pengoi të studionte në dy fakultete për psikologji dhe shkenca politike e të punojë në fushën e marketingut. Dëshira e saj e madhe është të njohë një djalë shqiptar sipas porosisë të babait.