Zonja Albana solli dy receta tepër të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tavë kosi Elbasani / Turli me perime.
Në rubrikën "Parashikimi i Yjeve", astrologu Jorgo Pulla bëri një parashikim të detajuar për javën e dytë të këtij muaji, 8-14 prill për të gjitha shenjat e zodiakut, duke bërë një renditje nga vendi i dymbëdhjetë në vendin e parë, duke marrë parasysh eklipsin diellor që padiskutim do të ketë një ndikim shumë të madh. Sipas Jorgos kombinimet e planeteve dhe renditja e tyre ka shumë ndikim në specifikat dhe karakteristikat e çdo shenje dhe kjo javë paraqitet shumë dinamike për të gjitha shenjat e zodiakut, me zhvillime pozitive, por dhe vështirësi.
Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja flasim për trajtimin e prostatës përmes kurave bimore, cilat janë shkaqet dhe simptomat e sëmundjes dhe çfarë kujdesi duhet treguar. “Prostata është gjendër hormonale mashkullore me sekrecion të brendshëm, gjendet te meshkujt që nga fëmijëria në dalje të fshikëzës së urinës dhe rrethon të gjithë kanalin e urinës me një madhësi mesatare sa një arrë e cila me kalimin e moshës mund të ketë premisa për t’u zmadhuar. Funksioni i saj, të prodhojë lëngun prostatik, një sekrecion qumështor që ushqen spermatozoidët, ndihmon të rrëshqasin lirshëm, dezinfekton rrugën ku kalojnë spermatozoidët” thekson Merja, duke vijuar me sëmundjet që prekin prostatën, të cilat janë: inflamacioni i prostatës (prostatiti), zmadhimi beninj i prostatës, kanceri i prostatës. Po si të bëjmë një dallim mes simptomave të inflamacionit-prostatiti, zmadhimit të prostatës apo kancerit të prostatës? Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja thekson se sa më herët të kapim shqetësimet me prostatën, aq më i lehtë bëhet dhe trajtimi, ku trajtimi bimor ka shumë efikasitet. Ndërsa në rastet kur sëmundja e prostatës ka përparuar Merja këshillon një kombinim mes trajtimit alternativ me bimë dhe ilaçeve mjekësore.