Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije për teleshikuesiet e “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Tortë e kripur me presh / Patëllxhanë të skarës në vaj e spec djegës / Supë me perime.
Të ftuar në “Rreze Dielli” tre nxënëse të ekselencës nga gjimnazi Petro Nini Luarasi në kryeqytet. Ata janë krenaria dhe dëshmia e punës së palodhur që tregojnë se kur talenti investon në dije, rezultatet janë të jashtëzakonshme. Çdo vit shumë nxënës nga të gjitha shkollat e mesme vlerësohen si ekselentë nga rezultatet e larta me 10-të absolute, duke u bërë kështu model frymëzimi për brezat që vijnë pas. Ester Bakalli, Glevia Lleshi dhe Ada Koçillari, tre maturantet ekselente rrëfejnë sfidat dhe dëshirat e së nesërmes si dhe theksojnë se ato shpesh janë të keqkuptuar sidomos nga bashkëmoshatarët e tyre dhe dëshirojnë të thyejnë mitin se nxënësit ekselentë janë të gjithanshëm, janë më të mirët në shkollë, por dhe mjaft aktivë në jetën sociale, në sport dhe në art. Bisedës në studio i bashkohet nëpërmjet një lidhje skype dhe Drejtoresha e Politikave Arsimore në Bashkinë e Tiranës, Arjola Byzyka, e cila tregon sa është numri i të rinjve ekselentë sot në Tiranë dhe si i stimulon Bashkia këta të rinj që janë e ardhmja e vendit.
E ftuar në emisionin “Rreze Dielli”, Renada Caci, ish- aktorja e mirënjohur e “Portokallisë” që të gjithë e njohin me emrin dhe rolin e saj më të spikatuar atë të “Luzes”. Ajo prej pak kohe është në pozicionin e moderatores në Televizionin Publik Shqiptar, duke intervistuar shumë të ftuar nga të gjitha fushat. Renada gjithashtu u bë shumë virale pak kohë më parë, pasi humbi shumë kilogramë, gjë që la ndjekësit e saj të habitur nga transformimi, plot 30 kilogramë më pak. Sot ajo do të ndajë me publikun e “Rreze Dielli” disa të pathëna nga karriera dhe sekretin e dobësimit të saj.