Zonja Albana solli tre sugjerime recetash plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Oriz me pançetë në krem djathi / Qofte spinaqi me gjizë në shtrat salcë domateje / Petulla si sfungjer vetëm me 2 përbërës.
Me nutricionistin Altin Joka, folëm për një nga problematikat më të mëdha në shëndetin tonë. Sheqeri, i konsideruar si “vrasësi i ëmbël dhe i heshtur”. Po si vepron sheqeri në organizmin tonë? Sa gram sheqer është norma ditore që duhet të konsumojmë dhe që mos të na ndikojë keq? Po tek fëmijët çfarë pasojash sjell? A ekziston vërtet varësia ndaj sheqerit dhe cilat janë arsyet fizike dhe psikologjike që na bëjnë të varur nga të ëmblat? Problematike nuk janë vetëm tortat, biskotat e çokollatat, të njohura për përqendrimin e lartë të sheqerit, por edhe produktet e gatshme ushqimore të ashtuquajturat „sheqer i fshehur". Sa të dëmshme janë ato dhe si na ndikojnë në kalimin lehtësisht të normës së përmbajtjes së sheqerit në gjak?
Në studion e “Rreze Dielli” me një personazh tejet interesant. Mund të quhet Mogli i kohëve moderne …një njeri që jeton me kafshët dhe i ka si familjen e tij. Hysni Rexhaj, që prej moshës 5 vjecare ka patur pasion të merrej me botën e egër , duke e nisur fillimisht me pëllumbat dhe shqiponjat, deri në moshën 12 vjecare...Djaloshi kujdesej për to, si për pjestarët e familjes së tij, duke koleksionuar specie nga më të pazakontat që gjente. Më pas pasioni iu zhvillua dhe nisi të kujdesej dhe për kafshë të tjera të egra, duke u njohur në Gjakovë si personazhi i pazakontë kontrovers. Edhe gjatë regjimit serb ai nuk e harroi këtë pasion, ku pas mbarimit të shërbimit ushtarak, kafshët tek ferma shtoheshin dita-ditës ujqër, majmun, struc, dhelpra, gjarpërinjë e lloj lloj kafshësh të pazakonta. Hysniu thotë se këtë dhunti ia ka dhënë Zoti dhe se i është shumë mirënjohës atij. Që fëmijë kishte ëndërruar që të mbante ujqër në oborrin e shtëpisë dhe sot ëndrra iu bë realitet.