Me mjeken neuropediatre Migena Kika flasim për hiperleksinë, si ta dallojmë këtë sindromë tek fëmijët që mësojnë të lexojnë pa mbushur akoma 5 vjeç?
Hiperleksia është një sindromë me dy karakteristika kryesore: nga njëra anë, fëmija ka një aftësi të parakohshme për të lexuar, dhe nga ana tjetër, paraqet disa vështirësi në të kuptuarit dhe përdorimin e gjuhës verbale, gjë që shkakton probleme në ndërveprimet shoqërore. Fëmija ndjen një magjepsje të madhe për shkronjat apo për numrat ose për të dyja bashkë. Dhe kjo sjell një aftësi të përparuar të leximit për moshën e fëmijës, krahasuar me fëmijët e së njëjtës moshë. Mjekja në studion e “Rreze Dielli” tregoi disa nga simptomat apo karakteristikat që shfaqin këto fëmijë më herët dhe kur prindërit duhet të shqetësohen dhe të drejtohen tek një specialist.
Gjithashtu me neuropediatren flasim dhe për anglishten e ekraneve tek fëmijët e vegjël. Në kohët e sotme gjithnjë e më shumë dëgjon prindër që thonë fëmija im më shumë flet anglisht sesa shqip. Por a përbën kjo problem për zhvillimin e fëmijës nëse ai arrin të mësojë fjalë anglisht nga kukullat që shikon në televizor më shpejt sesa të flasë në gjuhën e nënës. A është mirë që fëmija të zhvillojë shumë më mirë një gjuhë të huaj para gjuhës amtare, çfarë pasojash sjell ky fenomen? Si ndikon në formimin e fëmijës mënyra sesi procesohet kjo gjuhë në formë automatike nëpërmjet ekranit apo tableteve?