Një histori e pazakontë u trajtua pak ditë më parë në “Pa Gjurmë” ku nëna denoncoi zhdukjen e vajzës së saj ndërsa kjo e fundit kishte braktisur dy fëmijët e mitur dhe ishte larguar me të dashurin… që në fakt rezultonte të ishte edhe kushëriri i saj.
Bëhet fjalë për Ambra Eminin nga Kavaja e cila u largua natën e 13 janarit nga shtëpia e nënës së saj me të dashurin ndërsa nuk u bë më e gjallë as për dy fëmijët e saj të mitur të cilët e kërkojnë vazhdimisht.
Marrëdhëniet mes Ambrës dhe bashkëshortit të saj Dine Fezos nuk ishin të mira pasi ky i fundit kishte ushtruar edhe dhunë fizike mbi të renë. Shpesh ajo ishte larguar nga shtëpia ndërsa ishte kthyer sërish me kërkesën e prindërve të saj. Ishte data 4 gusht e vitit 2024 kur pas një konflikti në ambjente publike, Dine e qëlloi bashkëshorten e tij me shuplakë ndërsa aty pranë ndodhej edhe një punonjës policie. Pas kësaj ngjarje 32-vjeçari u arrestua ndërsa kreu 5 muaj burg. Muaj në të cilat Ambra e vizitonte shpeshherë, e ndërkohë me dy fëmijët jetonte tek nëna e saj. Gjatë kohës që Dine ndodhej në burg, bashkëshortja kishte nisur një raport dashurie me një djalë që sipas familjarëve rezulton të jetë edhe kushëriri i saj ndërsa u largua me këtë të fundit sapo i shoqi la qelinë e burgut.
Nëna nga studio “Pa Gjurmë” rrëfeu se nuk është dakord për marrëdhënien e re që vajza ka nisur. Ajo gjithashtu shprehu frikë se jeta e vajzës ndodhet në rrezik pasi partneri i ri i saj është përdorues i lëndëve narkotike. Ajo i bëri thirrje të bijës të kthehet, për dy fëmijët e mitur të cilëve u mungon që nga momenti i largimit nga shtëpia.