Kifle me djathë nga zonja Vjollca

18 Maj 2020, 10:12

Kifle me djathë Përbërësit: Për brumin: 2 vezë dhe një e verdhë veze për lyerje 2 lugë gjelle sheqer Kripë 50 ml vaj 350 ml qumësht 7 gr maja e thatë 700-750 gr miell 50 gr gjalp ambienti Mbushja: 300 gr djathë i bardhë në rende 1 tufë koper Kripë

Përgatitja: Në një tas vendosim një vezë të plotë dhe të bardhën e vezës tjetër. (E ruajmë të verdhën mënjëanë). Shtojmë dy lugë gjelle sheqer, vaj, qumësht, maja birre të thatë, miell, kripë dhe gjalp ambienti. E punojmë mirë brumin derisa mos të na ngjitet në duar dhe e vendosim në një tas të mbuluar për 1-1.5 orë të pushojë derisa brumi të fryhet. E nxjerrim nga tasi dhe i japim formë të lehtë. E presim në katër kulacë të vegjël. I mbulojmë kulaçët përsëri dhe i lëmë të pushojnë për 15-20 minuta. Ndërkohë grijmë djathin në rende nga ana më e trashë e rendes dhe shtojmë në tas koprën e grirë imët dhe e përziejmë mirë. Marrim një kulaç dhe me shumë pak miell e hapim në një petë rrethore me diametër 20-22 cm. E presim petën në 2 gjysma dhe secilën nga gjysmat i presim në 3 pjesë komplet rrethi pra ndahet në 6 pjesë. Në cdo pjesë vendosim nga një lugë mbushje, marrim cepin e pjesës nga lart e mbulojmë mbushjen dhe e vendosim cepin poshtë bazës. Kështu vazhdojmë në të gjitha pjesët në vijim. I vendosim kifnet në një tepsi ku kemi shtuar letër pjekje dhe i lyejmë me të verdhën e vezëve, të cilën e kemi trazuar me një lugë qumësht. I vendosim në furrë në temperaturë 180 gradë Celsius për 25-30 minuta.