Me kameran e "Rreze Dielli" shkojmë në një ambient mjaft të veçantë në qendër të Tiranës. Në një ditë me shi, kemi zgjedhur të konsumojmë një çaj të ngrohtë në filxhanët e porcelanit të para viteve '90, në një nga këndet më të preferuara të Rejna Kullës. Koleksionistia 42 vjeçare na tregon copëza nostalgjie përmes qindra objekteve të cilat ajo i lidh me filmat e vjetër shqiptar.
Rejna e lindur në një familje tipike tradicionale tironse dhe e rritur mes magjisë së sendeve antike rrëfen si lindi dhe u zhvillua pasioni për të koleksionuar objekte të vjetra nga pullat tek radiot, televizorët, furnellat me vajgur e shumë të tjera, objekte kaq nostalgjike që tregojnë historinë dhe kulturën e vendit tonë. Gjithashtu Rejna e frymëzuar dhe nga babai i saj, por dhe bashkëshorti ka dhe një pasion të çmendur për makinat retro, teksa na tregon dhe historitë sesi ka arritur t'i bëjë pjesë të koleksionit të saj.