Kujdes! Sëmundja e inflamacionit të zorrëve që prek adoleshentët, simptomat dhe trajtimi

19 Qershor 2023, 13:18

Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report Tv me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja u ndalëm në një nga sëmundjet që gjithnjë e më shumë po përhapet gjatë viteve të fundit, sëmundjen Crohn, sëmundje inflamatore e zorrëve e cila ndikon në aparatin tretës.

Sëmundja Crohn është një lloj i sëmundjes inflamatore të zorrëve. Tek njerëzit me këtë sëmundje, sistemi imunitar e njeh si të huaj mukozën e traktit tretës dhe e sulmon atë duke shkaktuar inflamacion. Ky inflamacion shkakton zhvillimin e ulçerës dhe të gjakosjes tek mukoza e traktit tretës. Sëmundja Crohn prek zakonisht zorrën e trashë dhe pjesën e fundit të zorrës së hollë që quhet "ileum", por mund të prekë gjithashtu të gjithë traktin tretës.

Ylli Merja tregoi se një higjenë jo e mirë në kuzhinë, një sistem imunitar i dobët, infeksionet mykotike dhe parazitare por dhe gjenetika, historia familjare janë disa nga shkaktarët e kësaj sëmundje inflamatore të zorrëve.Sipas specialistit të bimëve mjekësore Ylli Merja, nga mjekësia ende nuk është gjetur një mjekim i saktë. Përdorimi alternativ duhet të veprojë në përshtatje me simptomat.