Largohet me të bijën në drejtim të paditur/Policia gjen 3-vjeçaren në Fier, për nënën asnjë gjurmë

17 Maj 2022, 20:09

Ishte e martuar kur vendosi të largohej nga shtëpia pa lënë asnjë mesazh. Klementina Çekiçi nga Pogradeci u zhduk në moshë të re, duke lënë pas njërën vajzë, ndërsa tjetrën e mori me vete. Një histori që është e mbushur me mister, pasi vajza me të cilën u largua nëna u gjet një vit më pas nga policia në qytetin e Fierit, ndërsa Klementina rezulton ende e zhdukur. Deri në ato momente ishte një grua e përkushtuar ndaj familjes edhe sot familajrët nuk dinë të thonë me siguri se cila ishte arsyeja që Klementina u largua pas 4 viteve martesë me Artanin nga fshati Starovë i Pogradecit. Një vit pas ikjes kur shpresat për nënë e bij ishin shuar, në një banesë në qytetin e Fierit gjendet vajza e vogël 3-vjeçare në përkujdesjen e një tjetër gruaje me emrin Antoneta. Ajo u mor në pyetje nga policia në atë kohë, ndërsa dy persona u arrestuan. Sipas dëshmisë, gruaja me emrin Antoneta ishte paguar nga dy djemtë për të mbajtur në shtëpi të miturën. Por pas kësaj ngjarje nuk u mësua kurrë për fatin që pati nëna e saj. Familjarët ngrenë dyshime se Klementina u trafikua nga njerëz në rrethin e krushqisë që njiheshin si problematikë të zonës. Për familjarët kjo do të ishte një ikje e paralajmëruar, pasi jo rrallë herë Klementina kishte shprehur dëshirën se donte të largohej drejt Italisë apo Greqisë. Mesa dukej shoqëria me këta persona kishte futur në të njëjtën vorbull edhe Klementinën 20-vjecare asokohe, e cila pak para se të humbte gjurmët njihej si një grua e qetë dhe e përkushtuar ndaj familjes së saj. Madje ajo ishte bërë vetë nënë dhe vetë babë për vajzat, pasi bashkëshorti ra në burg për vjedhje. Ai la qelinë një vit pasi bashkëshortja ishte zhdukur, ndërsa vajzat u rritën tek gjyshërit nga nëna. 4 vite më pas Gjykata vendosi që kujdestarinë e njërës prej vajzave tia jepte babait dhe për vajzën tjetër kujdestarinë e morën gjyshërt e saj. Me një nënë të humbur fëmijët u rritën të ndarë nga njëra-tjetra edhe pse jetonin vetëm 10 minuta larg. Vajzat u ribashkuan pas shumë viteve dhe sot janë në kërkim të nënës.