Në studion e “Rreze Dielli” në një lidhje skype nga Gjermania me Dora Koka, artistja shqiptare kontraverse që la arkitekturën për muzikën. Pse e mori këtë vendim dhe si është jeta e një muzikanteje “full time” në Berlin?
Që e vogël Dora Koka nisi mësimet e pianos dhe kantos, duke e rritur pasionin për muzikën me kalimin e viteve. Në vitin 2003 ajo nisi studimet për arkitekturë në Tiranë, por shumë shpejt vendosi që të linte çdo gjë e të shkonte të jetonte në Gjermani ku transferoi dhe studimet e arkitekturës. Pas 5 vitesh punë në një kompani gjermane, Dora rrëfen se ngjarjet në jetën e saj private dhe profesionale sollën vështirësi në gjetjen e vetes si individ edhe pse kishte nisur të luante me një grup muzikor. Zbulimi i spiritualitetit ishte një revolucion në jetën e saj, filloi të praktikonte meditimin për të ndryshuar mendësinë dhe perceptimin e saj për botën. Zhvendoset në Berlin ku njohu skenën e madhe muzikore dhe zhvilloi talentin e saj, duke mundësuar që në shtator të 2022 të dilte albumi i saj i parë muzikor. Sot, ajo është e angazhuar ‘full time’ në muzikë duke performuar me bandin e saj tejet të suksesshëm.