Makarona furre me fileto pule dhe kërpudha nga zonja Vjollca

4 Maj 2020, 10:35

Makarona furre me fileto pule dhe kërpudha Përbërësit: 500 gr makarona 2 lugë gjelle vaj 1 qepë e vogël 350 gr fileto pule 300 gr kërpudha Kripë dhe piper i zi Majdanoz 250 gr mozzarella Beshameli: 50 gr gjalp 50 gr miell 500 ml qumësht Kripë dhe arrëmoskat 2 lugë gjelle parmixhan i grirë

Përgatitja: Fillimisht vendosim një tenxhere me ujë të bollshëm për të valuar. Shtojmë në të pak kripë, 1 lugë gjelle vaj dhe makaronat. I ziejmë ato 3 minuta më pak se koha e shkruar në etiketë. Ndërkohë në një tigan salce përgatisim beshamelin. Kaurdisim së bashku 50 gr gjalp dhe 50 gr miell, shtojmë 500 ml qumësht dhe e lëmë të ziejë duke e trazuar vazhdimisht. E largojmë dhe shtojmë kripë dhe arrëmoskat. Në një tigan të thellë vendosim 2 lugë gjelle vaj, qepën të grirë imët të cilën e kaurdisim derisa të bëhet transparente. Shtojmë fileton e pulës të prerë në kubikë të vegjël, i kaurdisim së bashku derisa mishi të zbardhet dhe të ketë përthithur lëngun e tij. Shtojmë kërpudhat dhe i përziejmë ato sa të skuqen pak. Shtojmë kripë, piper të zi, majdanoz dhe beshamelin. Vazhdojmë përzierjen për 5 minuta. Kullojmë makaronat, i shtojmë në tigan dhe i përziejmë sërish të gjithë përbërësit. Lyejmë tavën me pak gjalp dhe shtojmë në të ½ e përzierjes me makarona. Shpërndajmë në të 1 topth mozzarella në kubikë të vegjël, shtojmë pjesën e mbetur të makaronave dhe përsëri shpërndajmë një topth tjetër mozzarella në kubikë. Pudrosim sipër me parmixhan të grirë dhe e vendosim tepsinë në furrë në temperaturë 200 gradë, për 20-25 minuta.