Maratona e Tiranës, Veliaj: 17 Tetori ditë pa makina, hera e parë që organizojmë një maratonë të plotë

8 Tetor 2021, 15:49

Federata Ndërkombëtare e Atletikës ka certifikuar për herë të parë Tiranën si organizatore profesioniste të maratonës së 17 Tetorit, duke e licencuar edhe për itinerarin e plotë të garës prej 42 kilometrash. Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili tha këtë vit pritet të garojnë mijëra sportistë dhe qytetarë të apasionuar pas garave sportive, vendas dhe të huaj. Duke u bërë thirrje të gjithëve për t’iu bashkuar ngjarjes më të madhe sportive të vitit, Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë, për shkak se dita e dielë e 17 Tetorit do të jetë edhe një ditë pa makina në kryeqytet.

“Pas dy viteve shkëputjeje për shkak të pandemisë, këtë vit kemi edicionin më special të maratonës, sepse është hera e parë që jemi licencuar për një maratonë të plotë, prej 42 kilometrash. Sigurisht, do të garohet edhe për 21 km, 10 km, për kategorinë “We Too” apo “Fun Run” për fëmijët. Maratona e plotë kërkon edhe kohëzgjatje në organizimin e saj, ndaj na duhet mirëkuptim nga qytetarët. Policia do të bëjë punën e saj, do të vazhdojmë komunikimin në media, por atë ditë na duhet shumë durim sepse nuk duam të rrezikojmë që të mos certifikohemi si organizatorë profesionistë,” u shpreh Veliaj, nisur nga fakti se në një pjesë të madhe të akseve kryesore rrugore do të ndalohet qarkullimi i automjeteve, në varësi të itinerarit të maratonës.