'Mbretëresha e bukurisë' Laura Nezha: Do të sjell një baladë të re, më spontane se asnjëherë

28 Janar 2019, 09:56

Shumë e njohin si këngëtare. Kënga e saj e fundit “Je dashuri” që konkuroi në 2017-ën në Kënga Magjike u prit mirë dhe u pëlqye nga publiku. Por megjithatë Laura Nezha ka një dashuri po aq të madhe edhe për teatrin ku është fokusuar më shumë kohët e fundit. E ftuar në emisionin “Rreze Dielli”në Report TV për të folur mbi shfaqjen “Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” ku vetë ajo është protagoniste, Nezha tha se ndjehet mjaft e emocionuar për premierën e kësaj shfaqje që rivihen në skenë pas gati 20 vitesh nga regjisori i mirënjohur Kiço Londo. Por pavarësisht impenjimit të fortë në teatër së fundmi, (brenda pak ditësh ajo nis provat për një tjetër shfaqje teatrale), Laura Nezha e pranoi se ka shumë dëshirë të rikthehet para publikut me një këngë të re, që aq shumë e dëshiron.

Njerëzit e presin, edhe unë e pres me shumë dëshirë sepse janë emocione që janë të ndryshme por plotësojnë njëra tjetrën dhe përbëjnë atë që unë jam. Mirëpo nuk dua të them më data apo kohë se kur se asnjëherë nuk e respektoj. Por dëshirë kam shumë të sjell një këngë të re dhe madje një baladë, e kam thënë madje por nuk them dot se kur se e di që nuk do ti mbaj. Do të jetë suprizë edhe për mua. Në momentin që do të jetë gati do të jetë më spontane se asnjëherë.

Laura Nezha, aktore

“Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” do të ketë premierën të shtunën në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe do të vijojë të shfaqet edhe fundjavën e ardhshme. Ndërkaq e pyetur nëse mund të zgjedhë mes teatrit dhe këngës, Laura Nezha tha se të dyja gjinitë plotësojnë njëra tjetrën duke e kompletuar atë si artiste.