Nëna mëson mbi fatin e të bijës/Pa Gjurme zbulon ku e la njerku Mimozën

2 Maj 2022, 18:35

Një histori ndryshe nga të tjerat është ajo e një 60-vjeçareje nga Kuçova. Jeta e Dituri Rrokaj ka kaluar në një kalvar të gjatë vuajtjesh. 60-vjeçarja është në kërkim të vajzës së saj të vetme, me emrin Mimoza Halirama të cilën e solli në jetë më 19 janar të vitit 1984, por pas 3 vitesh humbi çdo kontakt me të. Ajo e la tek ish-burri I saj Avdi Xheladini në Fushë-Arrëz dhe pasi kalo një periudhë depresioni nuk e gjeti më të bijën. I moshuari nuk i dha kurrë më asnjë informacion, ndaj ajo kërkoi ndihmën e emisionit investigative ’Pa Gjurmë’ për të mësuar se ku jeton sot Mimoza. Gjatë transmetimit LIVE, por edhe në ditët në vijim, mbërritën një sërë informacionesh nga qytetarë të ndryshëm lidhur me të shkuarën e zonjës Diturie, njerëzit që u bënë pjesë e jetës së saj dhe që mund të na çonin në gjurmët e Mimozës, sot 38 vjeçe. Stafi ’Pa Gjurmë’ udhëtoi drejt Fushë-Arrëzit fillimisht për të gjetur personin kyç i cili ka lidhje me të shkuarën e Diturisë, ai i cili do mund të jepte sadopak një të dhënë për fatin e 38-vjeçares që nëna ia la në përkujdesje. Nuk hasëm shumë vështirësi për të gjetur banesën e ish-bashkëshortit të Dituries, por hasëm vështirësi në komunikimin me të. Edhe pse fqinjë prej shumë vitesh, hyrje-daljet e banorëve të pallatit me z.Avdi Xheladini kanë qenë pothuajse inekzistente. Një burrë i ftohtë e me karakter të ngurtë, ai të shumtën e kohës ka jetuar vetëm, e askush nuk di asgjë për të shkuarën e tij, apo fatin e vajzës së vogël, Mimoza. I moshuari nga fshati Micoj i Fushë-Arrëzit, për të dytën herë nuk na dha asnjë informacion, madje mohoi gjithçka që znj. Diturie tha në studio. Vitet që i rëndojnë mbi supe bëjnë të vetën, shtuar këtu edhe prezencën e kamerës, ndoshta z.Avdi diçka na fshihte…Ne e lamë të qetë të vazhdonte rrugën, ndërsa telefonuam mikun e tij, i cili kishte dijeni për ekzistenncën e vogëlushes që u la në moshën 3-vjeçare. Pas informacionit që siguruam nga dëshmitari, prej Fushë-Arrëzit u nisëm drejt gjendjes civile në Pukë, pasi në nga investigimi në sistem, shtetasja Mimoza Halirama figuronte e regjistruar me të njëjtin emër, atësi dhe mëmësi. Nga gjendja civile zbuluam se ajo ishte ende e regjistruar me të njëjtin emër, por se nuk kishte prodhuar asnjë dokument prej shumë vitesh, çka ngre dyshime të forta se pasi kaloi në shtëpinë e fëmijës Shkodër, ajo mund të jetë birësuar.